Ndërlidhjet

Thirrje për largimin e Trumpit - pasojnë dorëheqjet nga administrata


Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve
Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja, Nancy Pelosi bëri thirrje që presidenti Donald Trump të largohet menjëherë nga zyra, përmes aktivizimit të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, një ditë pasi protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan Kongresin amerikan.

"Dje, presidenti i Shteteve të Bashkuara nxiti kryengritje të armatosur kundër Amerikës", tha Pelosi për gazetarët në Uashington, duke shtuar se presidenti Trump ka kryer "akt të kryengritjes".

Ajo tha se demokratët po bëjnë thirrje që Trump të largohet përmes procesit gjyqësor, që njihet si "impeachment".

Sipas Pelosit, qëndrimi i Trumpit në pushtet do ta dëmtonte vendin, pasi siç u shpreh ajo "çdo ditë mund të shndërrohet në një shfaqje horrori për Amerikën".

Amendamenti 25, i ratifikuar më 1967 dhe i miratuar pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, ka të bëjë me zëvendësimin e postit të presidentit dhe paaftësinë për të kryer detyrën.

Për aktivizimin e Amendamentit 25, Pence dhe shumica e kabinetit të presidentit Trump do të duhet të deklarojnë se Trump është i paaftë që të ushtrojë detyrat e Presidencës dhe ta largojnë atë. Në këtë rast, Pence do ta merrte detyrën e presidentit.

Thirrje për largimin nga Zyra Ovale të presidentit Trump ka bërë edhe republikani Adam Kinzinger, i cili ka kërkaur nga nënpresidentit aktual amerikan, Mike Pence që të aktivizojë amendamentin e 25 të Kushtetutës amerikane dhe të marrë përgjegjësit e presidentit, pasi sipas tij, presidenti Trump ka “abdikuar” nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan.

“Fatkeqësisht, dje u pa se presidenti jo vetëm që ka abdikuar nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan dhe Kongresin”, tha Kinzinger, që është përfaqësues i qarkut të 16-të të Illinois në Dhomën e Ulët të Kongresit amerikan.

Kinzinger tha se presidenti aktual, Donald Trump me veprimet e tij nxiti edhe më shumë situatën më 6 janar, kur mbështetësit e tij, hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit, ku po mbahej seanca për konfirmimin e fitores në zgjedhjet presidenciale, të demokratit Joe Biden.

“Është koha për të aktivizuar amendamentin e 25-të dhe t’i japim fund këtij makthi”, tha ai, duke argumentuar se nënpresidenti Pence dhe anëtarët e kabinetit duhet që të sigurohen, që deri në inaugurimit të Bidenit si president, më 20 janar, qytetarët amerikanë të jenë të sigurt.

Edhe lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer ka bërë thirrje që presidenti Donald Trump, të “largohet menjëherë” nga zyra.

“Ajo çfarë ndodhi dje në Kongres ishte kryengritje ndaj Shteteve të Bashkuara, që u nxit nga presidenti. Ky president nuk duhet të qëndrojë asnjë ditë më shumë në zyrën e tij”, tha ai në një deklaratë.

Schumer shtoi se nënpresidenti Mike Pence duhet të aktivizojë amendamentin 25 të Kushtetutës, që i lejon atij transferimin e pushtetit nga presidenti te nënpresidenti.

“Nëse nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë që ta bëjnë një gjë të tillë, Kongresi duhet të takohet për të nisur procesin gjyqësor (që në anglisht njihet me termin impeachmet” ndaj presidentit”, tha ai.

Më 6 janar, protestuesit e dhunshëm, përkrahës të Trumpit ndërprenë për disa orë punimet e seancës së përbashkët të Kongresit. Në këtë ngjarje mbetën të vdekur katër persona, njoftuan autoritetet.

Kongresi më pas vazhdoi punimet dhe certifikoi fitoren e Bidenit.

Ndërkohë, sekretarja e Transportit, Elaine Chao dha dorëheqjen, e cila hyn në fuqi më 11 janar, duke u bërë anëtarja e rangut më të lartë të administratës së Trumpit që u largua në shenjë proteste pas sulmeve në Uashington.

Chao, e cila është e martuar me liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnel tha se sulmi i dhunshëm në Kongres “më shqetësoi aq shumë, sa që nuk mund ta mënjanoj”.

Dorëheqja e saj pasoi dorëheqjen e Mick Mulvaneyt, ish-shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë, nga posti si i dërguar Special në Irlandën e Veriut, dhe largimin e këshilltarit të Lartë për Rusinë, Ryan Tully.

Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, dha po ashtu dorëheqje dhe fajësoi presidentin për nxitjen e tensioneve përpara sulmit në Kongres.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG