Në Mbretërinë e Bashkuar nisi të hënën imunizimi kundër koronavirusit me vaksinën Oxford/AstraZeneca.
Brian Pinker, 82 vjeç, u bë personi i parë që mori këtë vaksinë në Spitalin Universitar të Oksfordit.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, e përshkroi vaksinën si “një moment shumë të rëndësishëm” në luftën e Mbretërisë së Bashkuar kundër koronavirusit.
Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në Evropë, me mbi 2.6 milionë njerëz të infektuar me koronavirus dhe mbi 75,000 viktima.
Rregullatorët shëndetësorë britanikë e kanë miratuar vaksinën Oxford/AstraZeneca më 30 dhjetor.
Deri më tash, autoritetet kanë porositur 100 milionë doza nga prodhuesi AstraZeneca - të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë njerëzve.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qysh më 8 dhjetor, është në përdorim edhe vaksina tjetër kundër koronavirusit, e njohur si Pfizer/BioNTech.
Kjo vaksinë jepet tashmë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, në SHBA, Kanada dhe disa shtete të tjera.
Vaksina Oxford/AstraZeneca pritet të çojë në rritje të konsiderueshme të vaksinimit, pasi është e lirë dhe prodhohet lehtë në masë.
Ajo mund të ruhet në frigorifer standard, ndryshe nga Pfizer/BioNTech që ka nevojë për ruajtje në temperaturë ultra të ftohtë: -70 gradë Celsius.