Ndërlidhjet

Hoti dhe Varhelyi bisedojnë për hyrjen e vaksinave në veri


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi “ngritën shqetësimin” lidhur me hyrjen ilegale të vaksinës kundër koronavirusit të ri në Kosovë, “pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina”.

“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Hotit, pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me komisionarin e Bashkimit Evropian, Oliver Harhelyi.

Më herët gjatë së hënës, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur hetimet lidhur me hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit në komunat në veri të Kosovës.

Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që deklaroi më 25 dhjetor se në Kosovë ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se zyrtarisht nuk janë njoftuar për këtë çështje dhe se vaksinat janë futur në Kosovë në mënyrë ilegale.

Hoti dhe Varhelyi po ashtu biseduan edhe për vaksinat kundër sëmundjes COVID-19 (që e shkakton koronavirusi i ri), të cilat Kosova pritet t’i sigurojë nga Bashkimi Evropian.

“Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër COVID-19, z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, Kosova është bërë pjesë e programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program ky që ka për qëllim të shpërndajë vaksinat në vendet e varfra.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se përveç COVAX-it po negociojnë edhe me kompani që tashmë kanë prodhuar vaksinat e tyre, por i pyetur nga REL-i për të dhënë më shumë detaje lidhur me këto negociata, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se negociatat janë “konfidenciale”.

Serbia tashmë ka nisur vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit, ku javën e kaluar ka arritur dërgesa e parë me dozat e vaksinës së Pfizer/BioNTech.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG