Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi të martën masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat e ndikojnë edhe orarin e lëvizjes së qytetarëve dhe orarin e veprimtarisë së lokaleve të gastronomisë.
Me masat e reja, orari i lëvizjes së qytetarëve është zgjatur për një orë, përkatësisht deri në orën 20:00.
Deri më tash, qytetarëve u është ndaluar lëvizja, përveç për raste emergjente, nga ora 19:00 deri në orën 05:00.
Qendrat tregtare dhe shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë po ashtu do lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00 - një orë më shumë se deri më tash.
Një masë e re e ndërmarrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës, është paraqitja e testit PCR të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të kundërtën ata duhet të vetizolohen.
"Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për 7 ditë", thuhet në njoftimin e ekzekutivit.
Personave mbi moshën 65 vjeç do t’iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 06:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore, thuhet në vendimin e ri.
Vendimi hyn në fuqi më 23 dhjetor, 2020, në orën 05:00, dhe vlen deri në një vendim tjetër.
- Detajet e tjera nga vendimi mund t’i lexoni këtu.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në mbi 49,000.
Të martën u raportuan edhe 137 raste të reja dhe 10 viktima.