Ndërlidhjet

FDA nis hetimet pas reaksioneve alergjike nga vaksina e Pfizer


Vaksina e Pfizer dhe BioNTech.
Vaksina e Pfizer dhe BioNTech.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Shtetet e Bashkuara është duke hetuar rreth pesë reaksione alergjike që ndodhën pasi njerëzit morën këtë javë vaksinën kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, tha një zyrtar i këtij institucioni.

Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësim dhe Kërkim në FDA, tha në një konferencë për media të premten mbrëma se reaksionet alergjike u raportuan në disa shtete, përfshirë edhe në Alaskë.

Ai tha se kimikati i quajtur polietilen glikon (PEG) që është përbërës i përdorur në vaksinën e Pfizer – si dhe në vaksinën e kompanisë Moderna që u autorizua për përdorim të premten – “mund të jetë fajtori” për reaksionet alergjike. Marks tha se reaksionet alergjike ndaj kësaj substance mund të jenë më të zakonshme se sa mendohej paraprakisht.

Paralajmërim për reaksion të kufizuar alergjik nga vaksina e Pfizerit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Rastet në Alaska, ku qytetarët përjetuan reaksione alergjike pasi morën vaksinën kundër koronavirusit të ri, janë të ngjashme me ato që u raportuan në Britani javën e kaluar.

Rregullatori shëndetësor në Britani tha se kushdo që ka histori të alergjive të rënda ndaj ilaçeve apo ushqimeve, nuk duhet të marrë vaksinën e Pfizer dhe BioNTech.

Por, FDA tha se shumica e amerikanëve që vuajnë nga alergjitë janë të sigurt që ta marrin vaksinën. Ky institucion tha se vetëm njerëzit që në të kaluarën kanë pasur reaksione të rënda alergjike ndaj vaksinave apo përbërësve që janë përdorur në këtë vaksinë të Pfizer, duhet të mos e marrin atë.

Të premten, FDA tha se vaksina e kompanisë Moderna nuk duhet t’u jepet personave që kanë një histori të reaksioneve të rënda alergjike ndaj çfarëdo përbërësi që është përdorur në vaksinat kundër koronavirusit.

Kompania Pfizer nuk ka komentuar ende për këto hetime të nisura nga FDA.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG