Ndërlidhjet

Serbia pamundëson transitin e rrymës për Kosovë


Pamje nga Termocentrali në Obiliq.
Pamje nga Termocentrali në Obiliq.

Operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një përgjigje nga zyra për informim e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Kjo ndërprerje ka ndodhur që nga 14 dhjetori, kur KOSTT-i ka filluar të operojë si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.

“Aktualisht, nuk bëhen transaksione komerciale të energjisë elektrike (tregtim) në kufirin energjetik Kosovë - Serbi, por linjat ndërkufitare janë në operim dhe në ato rrjedh energjia elektrike”, thuhet në një përgjigj të KOSTT-it.

Sipas KOSTT-it, arsyeja pse ende nuk ka tregtim në linjat ndërkufitare Kosovë-Serbi është për shkak se operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë) ende nuk ka bërë marrëveshje me KOSTT-in për tregtim të kapaciteteve.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje EMS-së, lidhur me këtë çështje dhe për një marrëveshje të tillë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Por, thonë zyrtarë të KOSTT-it, kjo nuk do të thotë që tregtarët nuk kanë mundësi që të tregtojnë energjinë elektrike për në destinacionin e synuar, pasi që ata mund të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative.

Gjukaj: Serbia e ka keqpërdorur fazën testuese

Njohësi i çështjes energjetike në Kosovë, Arben Gjukaj, thotë se Serbia, duke shfrytëzuar fazën tranzitore të pavarësimit të rrjetit transmetues të Kosovës, ka shitur në mënyrë jo-transparente dhe kundër rregullave për tregti ndërkufitarë te kapaciteteve transmetuese, në linjat në mes të Kosovës dhe Serbisë (400 dhe 220) kilovolt (KV).

E gjithë kjo, sipas tij, është bërë për shkak se operatori i transmisionit të Serbisë, EMS-ja nuk ka bashkëpunuar me operatorin e transmisiont të Kosovës, KOSTT, në fazë tranzitore të fillimit të operimit të KOSTT-it si zonë rregulluese e pavarur me Shqipërinë. Kjo situatë do të jetë deri më 31 dhjetor, pasi Serbia krejt kapacitetet e linjave transmetuese ndërshtetërore që kanë shkuar në drejtim të Kosovës i ka deklaruar zero. Ai shton se nuk ka kapacitete të lira në këto linja për tregtarët që dëshirojnë të shesin apo blejnë energji në Kosovë ose anasjelltas.

“Në këtë situatë e vetmja rrugë për tregtim të energjisë elektrike për tregtarët dhe operatorët tjerë vendorë, është përdorimi i rrugëve alternative që janë linja transmetuese me vendet tjera fqinje që lidhin Kosovën me rajonin”, thotë Gjukaj.

Në takimin e datës 1 dhjetor 2020 të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-së, të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST), janë zotuar që do ta përkrahin KOSTT-in në fazën e tranzicionit si zonë e pavarur rregulluese Shqipëri-Kosovë.

Gjukaj: Shfrytëzimi i linjave alternative ka kosto më të lartë

Gjukaj thotë se shfrytëzimi i linjave alternative nga operatorët ka kosto më të lartë.

“Kjo është e logjikshme, sepse rruga më e largët ka kosto të transportit ose shfrytëzimit të rrjetit. Kjo është normale, për këtë edhe rregullat dhe të gjithë direktivat e Bashkimit Evropian kanë shtyrë vendet e Evropës Juglindore që t’i hapin kufijtë dhe të jenë më transparentë, të ndihmojnë njëri-tjetrin në interkoneksion edhe në tregtim të energjisë që konsumatorët e vendeve përkatëse të përfitojnë nga çmimet më të lira të mundshme”, thekson Gjukaj.

KOSTT-i që nga 14 dhjetori operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë, ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të KOSTT-it, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova importonte nga ky shtet, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, të martën Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi, ndërkaq ka thënë të enjten se Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke bllokuar linjat transmetuese për Kosovën.

Ai i ka bërë këto komente në një takim të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që këtë herë është mbajtur në kryesimin e Malit të Zi, pas pavarësimit energjetik të Kosovës.

Sipas Kuçit, këto veprime janë të patolerueshme dhe duhet të sanksionohen nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG