Ndërlidhjet

Ekonomia mbijetoi për të mos shkuar në kolaps


Një punëtor në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë.
Një punëtor në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë.

Jahir Morina, pronar i kompanisë ‘Princesha’ në Prishtinë ka mbajtur gjallë kompaninë gjatë nëntë muajve të pandemisë falë rezervave financiare.

Morina thotë se kompania e tij, e cila biznesin e saj e ka të shtrirë në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, nuk ka arritur të krijojë të hyra financiare, por ka pasur vetëm shpenzime.

“Kompania ‘Princesha’ në fushën e ndërtimtarisë, për të mos e ndërprerë aktivitetin e saj, ka investuar mbi 4 milionë euro, ndërsa në gastronomi ka investuar 500 mijë euro për t’i paguar të gjitha obligimet që kanë qenë në vitin 2020”, thotë ai.

Sektori i ndërtimit, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti GAP, konsiderohet si një nga sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19.

Morina tregon se krahasuar me vitin e kaluar, shitja e banesave ka shënuar një rënie për 80 për qind.

Morina thotë se deri tani ka mbijetuar falë rezervave financiare që i ka pasur si biznes, por të cilat tashmë janë shpenzuar dhe nëse nuk do të ketë ndihmë nga shteti, problemet do të paraqiten në vitin 2021.

“Do të përballemi me një kolaps ekonomik që shumë shpejt do të reflektohet në mbarë ekonominë”, thotë ai.

Ekonomia e brishtë përballë pandemisë

Masat kundër përhapjes së pandemisë kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e Kosovës duke krijuar humbje deri më tani në 1 miliard euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe shoqatave ekonomike.

Këto humbje nuk arritën të mbulohet nga ndihma që shteti ndau për ekonominë.

Por, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ekonomia e brishtë e Kosovës, me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind ndër vite, brenda nëntë muajve të pandemisë me COVID-19, arriti të mbijetojë për të mos u futur në kolaps.

“Ekonomia e vendit mund të themi se ka shpëtuar nga kolapsi, por jo që shteti e ka ndihmuar shumë, por qytetarët dhe bizneset kanë pasur rezerva dhe i kanë përdorur ato mjete në këtë kohë”, thotë Shahini.

Bizneset dhe qytetarët në Kosovë në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë depozita miliarda euro në dhjetë bankat komerciale në Kosovë. Vlera e depozitave të klientëve, sipas këtyre të dhënave të BQK-së, ka arritur në mbi 4 miliardë. Prej tyre më shumë se 2 miliardë euro janë të ekonomive familjare dhe të tjerat janë të korporatave jofinanciare dhe financiare.

Bizneset dhe qytetarët në Kosovë në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë depozita miliarda euro në dhjetë bankat komerciale në Kosovë.

Vlera e depozitave të klientëve, sipas këtyre të dhënave të BQK-së, ka arritur në mbi 4 miliardë. Prej tyre më shumë se 2 miliardë euro janë të ekonomive familjare dhe të tjerat janë të korporatave jofinanciare dhe financiare.

Qeveria: Nuk mbulohen të gjitha humbjet

Megjithatë, me këtë vlerësim nuk pajtohen përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të cilët nga fondet për të ndihmuar bizneset e prekura nga masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, deri më tani i ka ndihmuar bizneset me rreth 150 milionë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të ndihmuar ekonominë e Kosovës që të mos futej në krizë të thellë nga pandemia, projektuan në atë mënyrë që biznesi të ndihmohet nga shteti, por edhe nga vetë biznesi.

“Nga fillimi kur ka nisur pandemia, është thënë që humbjet do të mundohemi t’i mbulojmë bashkërisht. Ne e kemi ditur kapacitetin e buxhetit të shteti dhe kemi thënë që do t’i mbulojmë humbjet për aq sa ka hapësirë fiskale dhe buxhetore. Kjo hapësirë është shfrytëzuar për aq sa ka lejuar Ligji për buxhetin”, thotë Krasniqi.

Ligji për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor parasheh 600 milionë euro, nga cili fond do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët.

Ekonomia e Kosovës, thotë Krasniqi, këtë fazë po e kalon me mjaft sfida, mjaft probleme, mirëpo ka arritur të mbijetojë dhe të mos futet në kolaps.

Pako mbi 1 miliard euro për t’i shpëtuar bizneset

Por, vlera që qeveria ndau për bizneset, përveç që konsiderohet shumë e ulët nga profesori i ekonomisë, Mejdi Bektashi, vlerësohet edhe e vonuar për t’u dalë në ndihmë bizneseve.

Ai thotë se nëse dëshirohet një ekonomi stabile, duhet të fokusohen në pako tjera të rimëkëmbjes ekonomike dhe mjetet buxhetore të parapara në investime kapitale, të orientohen në sektorin privat.

“Kompanitë që arritën të mbijetojnë në vitin e ardhshëm, mund të falimentojnë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Prandaj qeveria duhet të angazhohet që pakoja e radhës që do t’i ndihmonte bizneset, të jetë më e madhe së paku të kalojë 1 miliard euro”, thotë Bektashi.

Këto mjete, thotë profesori Bektashi, mund të sigurohen nga të hyrat buxhetore si dhe nga marrja e kredive nga institucionet e ndryshme financiare ndërkombëtare.

Kosova për vite me radhë ka pasur një rritje ekonomike mesatarisht rreth 4 për qind, e cila ka qenë e pamjaftueshme për ta zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale.

Ndërkaq, për këtë vit guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, pati deklaruar se si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie deri në 7.2 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG