Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do të ketë si prioritet që t'u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër COVID-19.
“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinoj donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimore dhe fqinjësi”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së, ku përgatitjet për vaksinim ishin ndër temat kryesore.
Burimet nga takimi i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së kanë thënë se në takim, Von der Leyen ka njoftuar se Komisioni Evropian tashmë ka porositur doza të mjaftueshme për vaksinimin e më shumë se 750 milionë qytetarëve. Pasi BE-ja ka rreth 450 milionë banorë, nga ky kontingjent i vaksinave, do tu ndahen edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si prioritet, por edhe vendeve tjera të botës që kanë të ardhura të ulta apo të mesme.
Në BE nuk ka përgjigje të prerë se a do të ketë menjëherë donacione të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën kohë kur u dorëzohen edhe vendeve anëtare, apo kjo do të bëhet më vonë.
Burimet nga BE-ja kanë sqaruar se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen paralelisht nga dy kanale. Më i rëndësishmi është furnizimi përmes koalicionit ndërkombëtare COVAX ku BE -ja po ashtu ka rolin kryesor dhe tashmë ka dhënë si donacion 500 milionë euro.
Në këtë koalicion ndërkombëtarë për sigurimin e vaksinës janë 184 shtetet të botës. Prodhuesit e vaksinave janë zotuar se deri në fund të vitit do të sigurojnë 2 miliardë doza të vaksinave përmes kësaj nisme, nga të cilat 1 miliardë do të shkojnë për vendet më të varfra.
Vaksinat përmes COVAX do të jenë me çmim të favorshëm ndërsa për disa vende me të ardhura më të vogla do të sigurohen edhe falas. Burimet e BE-së vlerësojnë se nga vendet e Ballkanit, Kosova do të kualifikohet për të marrë vaksinat falas përmes COVAX-it, sepse është vendi më i varfër i rajonit bazuar nga të ardhurat për kokë banori. Vaksinat që do të sigurohen përmes COVAX-it do të distribuohen përmes UNICEF-it.
Por, shpejtësia e distribuimit të vaksinave nga ky kontingjent duket se nuk do të jetë e njëjtë me ato që tashmë pitet të shpërndahen tek shtetet anëtare. Prandaj, Komisioni Evropian është duke shqyrtuar që një pjesë e dozave për vendet anëtare të dërgohet edhe tek vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nisma COVAX, ku BE-ja është kontribuesi kryesor, do të jetë kyç për të siguruar vaksinat për Ballkanin Perëndimor. Paralelisht, në mënyrë që vaksinimi të nis sa më shpejtë, BE-ja është duke shqyrtuar mundësitë se si të siguroj vaksinat për Ballkanin Perendimor edhe përmes donacioneve apo ndonjë sistemi të ngjashëm. Kjo do të siguroj një mbështetje për të siguruar një vaksinim relativisht të shpejtë për grupet me prioritet”, ka thënë Ana Pisonero, zëdhënëse për çështje të zgjerimit dhe fqinjësisë në Komisionin Evropian.
Sipas ekspertëve të BE-së tashmë janë duke u bërë koordinimet mes Komisionit Evropian, vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të siguruar dozat e para të vaksinave. Ideja është që, sapo të marrin dozat e para të vaksinave, që do të jetë një numër i kufizuar, shtetet anëtare, një pjesë ta vendosin në dispozicion të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë që të mos ndodhë që disa shtete të BE-së t'u japin të njëjtit shtet në rajon, dhe për të siguruar një shpërndarje të barabartë të vaksinave, është duke vazhduar bashkëpunimi mes Komisionit, vendeve anëtare dhe shteteve të rajonit.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë po ashtu se nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kërkohet që strategjinë e tyre të vaksinimit ta zhvillojnë në përputhje me udhëzimet që ka dhënë Komisioni Evropian për vendet anëtare. Kjo do ta bënte më të lehtë ndihmën e BE-së dhe koordinimin me shteteve anëtare.
Sipas strategjisë së BE-së vaksinat do të shpërndahen në të njëjtën kohë për të gjitha shtetet anëtare, me të njëjtat kushte, ndërsa numri do të caktohet në bazë të numrit të banorëve. Grupet me prioritet për vaksinim do të jenë punëtorët në sistemin e shëndetësisë, grupet e rrezikuara, të moshuarit e kështu me radhë. E njëjta strategji pritet të respektohet edhe nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Vaksinimi në vendet e BE-së pritet të nis në fillim të janarit. Belgjika dhe Holanda tashmë e kanë caktuar 5 janarin si ditë kur do të nis vaksinimi i grupeve të para.
Vaksina e parë e cila pritet të marrë lejen nga Autoriteti rregullativ i BE-së, dhe atë para fundit të këtij viti, do të jetë vaksina e prodhuar nga BioNTech/Pfizer.
Sipas Komisionit Evropian nga mesi i janarit pritet të jepet leja edhe për vaksinën e kompanisë Moderna. Pastaj, gjatë pranverës, do të pasojnë edhe lejet për vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, varësisht se si shkon procesi i analizave të rezultateve dhe efekteve anësore të tyre.
“Ne duam të jemi të sigurt se vaksinat janë të efektive dhe të parrezikshme për qytetarët. Ky është prioriteti ynë prandaj edhe nuk jemi nxituar”, ka thënë Komisioni Evropian.
Por, burimet e BE-së pohojnë se vendet e rajonit të Ballkanit duhet të përshpejtojnë edhe përgatitjen logjistike për vaksinim. Në këtë drejtim thonë se ka pengesa pasi vaksinat e para, ato të BioNTech/Pfizer, duhet të transportohen dhe ruhen në temperaturë nën -70 gradë celsius, që është sfidë jo vëtëm për vendet e rajonit të Ballkanit por edhe për vetë vendet e zhvilluara të BE-së. Edhe në këtë drejtim BE-ja thuhet se është duke u ndihmuar vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se BE-ja ka interes t'i ndihmoj si prioritet vendeve të Ballkanit edhe nga aspekti shëndetësorë dhe nuk dëshiron të bëj “diplomaci vaksinash” për të fituar popullaritet.
Vaksinimi dhe imunizimi në Ballkan ka rëndësi për shtetet e BE-së edhe për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë me këto shtete. Dhe, nuk mund të jenë të sigurt qytetarët e BE-së nga infektimi më koronavirus nëse vaksinimi i suksesshëm nuk është bërë edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Prandaj në BE pohojnë se, edhe pse nuk mund të garantohen datat dhe afatet kohore, pasi kjo varet edhe nga kapacitetet prodhuese, për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të sigurohen dozat e mjaftueshme të vaksinave.