Planet që i kanë pasur Blinera Kosumi dhe Lenda Gashi gjatë vitit 2020, ua ka prishur pandemia me COVID-19. Këto janë vetëm dy studente, të cilat kanë rrëfyer për Radion Evropa e Lirë kohën e jetuar në pandemi.
Blinera Kosumi është studente në vitin e tretë, në Universitetin Amerikan në Prishtinë, AUK, dhe studion Ekonominë.
Blinera për Radion Evropa e Lirë tha se vitin e kaluar ka aplikuar për të shkuar verën e vitit 2020, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në programin ( Puno dhe shëtit) “Work and Travel’’. Por, pandemia që përfshiu gjithë botën, ia prishi planet. Ky nuk ishte plani i vetëm që ajo kishte.
"Fatkeqësisht jo një, por më kanë dështuar me dhjetëra plane dhe jam shumë e demoralizuar. Një prej tyre ka qenë udhëtimi ‘Work and Travel’ në Amerikë, program ky që është për studentë që duan të punojnë, të shëtisin dhe të mësojnë kultura të reja në Amerikë. Unë kam aplikuar vitin e kaluar, e kam bërë pagesën dhe të hollat nuk më janë kthyer ende”.
“Pra, ndodhi çka ndodhi dhe gjithçka dështoi. Mundësia është të aplikoj prapë në vitin 2021 dhe nëse bëhet, shkojmë. Por, unë nuk do të marr një hap tjetër, për shkak se situata po shkon duke u rënduar. Më ka dështuar edhe vizita në Turqi, që kemi planifikuar të shkojmë me shoqëri, gjithashtu shumë vizita familjare në Evropë që i kam planifikuar, të gjitha kanë dështuar”, tha ajo.
Ndonëse shumë plane i kanë dështuar, Blinera është pranuar gjatë këtij viti në zyrën e kryeministrit, aty ku edhe është duke bërë praktikë aktualisht, e që vetë universiteti ia ka mundësuar një vend pune ku ajo do të mund të bënte praktikë.
Edhe Lenda Gashi e cila studion ne LSE (London School of Economics) në Prishtin, tha se gjatë kësaj vere ajo ka planifikuar të marrë pjesë në shkollë verore, një program ky që universiteti ku studion, ua mundëson studentëve të vet.
“Unë studioj në një rrjet ndërkombëtar të Universitetit të Londrës në Prishtinë, ELC. Sistemi është i ndërlidhur me Londër. Ajo çka ofron sistemi në Kosovë është mundësi për studentë, që të marrim pjesë në Summer School në Londër. Këtë vit, për shkak të pandemisë dhe lëvizjes së lirë, nuk kemi mundur të marrim pjesë”, tha ajo.
Lenda shtoi se këtë mundësi e kanë studentët e vitit të dytë dhe tretë. Andaj ka qenë një shans i mirë për të, që ta vizitojë Londrën dhe të përfitojë nga shkolla verore. Por, planet i dështuan për shkak të pandemisë.
“Në programin tonë vetëm viti i dytë dhe i tretë kanë të drejtë të marrin pjesë. Universiteti ofron dy mundësi, udhëtim në Londër dhe Japoni. Andaj, disa studentë kishin për të udhëtuar në Londër e disa në Japoni. Por, është stopuar gjithçka. Na humbi mundësia, e ne edhe para pandemisë kemi qenë të izoluar për shkak të vizave. Tash ambasadat edhe ashtu po punojnë me kapacitete të limituara dhe neve nuk e di kur do të na vijë një mundësi tjetër”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, Blinera tregon se përpos planeve që i ka pasur, frika nga koronavirusi e që e shkakton sëmundjen COVID-19, i ka ndikuar keq edhe në shëndetin mendor, meqë vite më parë ka vuajtur nga sëmundja e leukemisë.
“Ajo që ma ka vështirësuar është frika nga virusi, për shkak se unë kam qenë e sëmurë nga leukemia, kur kam qenë fëmijë dhe frika ka qenë shumë e madhe. Por, normalisht, edhe për familjarët dhe gjithë rrethin kam pasur frikë për shkak se askush nuk e dinte çka po ndodh, pra ishte një virus i panjohur për të gjithë’’, tha Blinera.
Sidoqoftë, që të dyja thanë se edhe kalimi nga mësimi i rregullt në mësim online, gjatë kohës së pandemisë, ka qenë sfidë më vete.
“Ajo që ka qenë e vështirë, është mësimi online, pasi lëndët e Menaxhmentit janë të mundimshme dhe të vështira edhe personalisht me profesorin, e paramendojeni online. Por, mund të them se tashmë jemi adaptuar me gjithçka’’, përfundon Lenda.
Pandemia me COVID-19, në disa familje ka pasur edhe anët pozitive, ku ata kanë rrëfyer për Radion Evropa e Lirë, se si asnjëherë më parë nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme të jenë afër njëri-tjetrit, sa koha kur ishim të izoluar.