Ndërlidhjet

Billçik: Rusia, Kina shfrytëzojnë mundësinë për të rritur ndikimin në Serbi


Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Vlladimir Billçik.
Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Vlladimir Billçik.

Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Vlladimir Billçik, tha se Serbia, muajve të fundit, ka ngecur në procesin e anëtarësimit në BE dhe se aktorët e tjerë të jashtëm, të tillë si Rusia e Kina, “janë duke shfrytëzuar çdo mundësi për të rritur ndikimin e tyre në rajon dhe Serbi”.

Billçik tha se për këtë arsye, mjetet e zgjerimit të BE-së duhet të përdoren në një mënyrë strategjike.

Ai tha se beson se Këshilli i BE-së “duhet të jetë i gatshëm të hapë kapituj shtesë të negociatave me Serbinë”.

“Hapja e kapitujve është fillimi i një procesi të gjatë negociatash mbi zbatimin dhe standardet, por mund të jetë gjithashtu një pikë kthese në Ballkanin Perëndimor, kur bëhet fjalë për përballjen me sfidat e konkurrencës gjeopolitike dhe luftën tonë për reforma”, tha Billçik.

Serbia, këtë vit, nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa shumë vende anëtare kanë pasur vërejtje për sundimin e ligjit në këtë vend.

Duke prezantuar një raport të Parlamentit Evropian për Serbinë përpara Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së, Billçik tha se puna kryesore duhet të bëhet në Serbi.

“Vendimet politike për lëvizjen kah BE-ja sillen në Serbi, në Beograd, në qytete dhe fshatra të tjerë”, tha Billçik.

Billçik theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë mbeten prioritete dhe parakushte për anëtarësim në BE.

Ai tha se dialogu duhet të vazhdojë dhe të sjellë rezultate të prekshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG