Në të gjithë botën të mërkurën u shënua Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Në shumë vende gratë thanë se bllokimet për shkak të pandemisë, kishin rritur nivelin e dhunës, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh.
Kombet e Bashkuara thanë se, që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, të gjitha llojet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht dhuna në familje, ishin intensifikuar.
"Dhuna e burrave ndaj grave është gjithashtu një pandemi. Ajo gjithashtu ka nevojë për reagimin tonë global dhe të koordinuar", tha drejtorja ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara “UN Women”, Phumzile Mlambo-Ngcuka në një deklaratë.
Vitin e kaluar, 243 milionë gra dhe vajza kanë përjetuar dhunë seksuale ose fizike nga partneri i tyre.
Këtë vit, raportet theksojnë se ka pasur rritje të dhunës, zyrtarja e OKB-s.
Në qytetin turk të Stambollit, disa qindra njerëz u mblodhën për të protestuar kundër dhunës në familje ndaj grave.
Një grua që mori pjesë në protestë, por që nuk pranoi të identifikohet, i tha agjencisë Reuters: “Ligji nuk i mbron gratë ashtu siç duhet. Ne jemi këtu për t’u dëgjuar zëri jonë. Ka vrasje të grave që ndodhin pothuajse çdo ditë në këtë vend, por njerëzit që po kryejnë krimin janë të lirë ".
Në Itali, protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit duke mbajtur parulla me mbishkrimin "Gratë nuk janë lodra". Italia kishte një nga masat e izolimit më të rrepta në botë, midis marsit dhe majit, për shkak të pandemisë. Karantina ka krijuar kushte për rritje të vrasjeve të grave nga anëtarët e familjes në të njëjtën shtëpi, sipas një studimi nga Instituti Italian i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale. "Ne kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të dhunës në familje gjatë masave të izolimit", tha protestuesja, Serena Freddi.
"Kjo tregon se shtëpia është ende një vend konflikti dhe dhune për gratë", shtoi ajo.
Spanja mbajti një minutë heshtje për gratë e vrara dhe në Portugali, organizata vëzhguese OMA, tha se deri më tani, gjatë këtij viti, 30 gra ishin vrarë, gjysma e tyre viktima të dhunës në familje.
Ministri i Brendshëm i vendit, Eduardo Cabrita, tha se kishte një rënie prej 6% të numrit të ankesave në lidhje me dhunën në 10 muajt e parë të vitit 2020 nga një vit më parë. Kjo, sipas tij, tregon se gratë e kanë pasur më të vështirë gjatë izolimit të kërkojnë ndihmë.
Në Gjermani, kancelarja, Angela Merkel, tha se "statistikat tregojnë se çdo 45 minuta një grua në vendin tonë sulmohet nga partneri i saj aktual ose nga ish-partneri”.
“Këto janë fakte mizore. Çdo rast i vetëm tregon një histori të tmerrshme. Ne kurrë nuk duhet ta kthejmë kokën anash kur vajzat ose gratë kërcënohen me dhunë ose sulmohen", tha ajo.