Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Kizhevak të Komunës së Rashkës.
Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë.
Sipas përgjigjes, fillimi i zhvarrimit do të përcaktohet më vonë, ashtu si edhe komisioni që do të kryejë zhvarrosjen.
"Gjithashtu, është caktuar një ekspert gjyqësor, i cili do të mbledhë dhe sigurojë gjurmë materiale që janë gjetur në vend gjatë hetimit paraprak, në përputhje me raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë", thotë Gjykata.
Sipas Gjykatës, Ministria e Brendshme është udhëzuar të bëjë sigurimin në mënyrë adekuate të lokacionit, ndërsa veprimet tjera të rëndësishme do të përcaktohen me një urdhër shtesë që do të lëshohet më vonë, duke pasur parasysh kushtet aktuale të motit, periudhën e vitit dhe mungesën e të dhënave të hollësishme.
Prokuroria e Krimeve të Luftës në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 17 nëntor se ishte në dijeni të informacionit se, në një lokacion afër Rashkës janë gjetur mbetje mortore, për të cilat dyshohet se janë të viktimave shqiptare nga Kosova dhe se "procedura po kalon në procedurë të Departamentit për Krime të Luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit".
Më 16 nëntor, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në varrezën masive në Krizhevak dyshohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Serbi, Veljko Odalloviq, ka thënë të mërkurën në mbrëmje se në bazë të të dhënave, në varrezën masive në Kizhevak afër Rashkës gjenden mbetjet mortore të potencialisht, pesëmbëdhjetë deri në shtatëmbëdhjetë trupave.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.
Sipas të dhënave të YIHR-it, në uebfaqen e saj ratusrbiji.rs, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës; në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore të paktën 61 trupa; afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013.
Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-'99.