Ndërlidhjet

Vendet e Ballkanit Perëndimor pajtohen për treg të përbashkët dhe politika të gjelbra


Samiti i Sofjes, 10 nëntor, 2020.
Samiti i Sofjes, 10 nëntor, 2020.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, u pajtuan që të fuqizojnë lidhjen mes tyre.

Në samitin e Sofjes, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, e që u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se ky pajtim u arrit “për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian”.

“Si një nga hapat drejt themelimit të ardhshëm të Tregut të Përbashkët Rajonal, ne miratuam sot në Sofje një Plan Veprimi, bazuar në katër liritë dhe pasuruar me fushat e tregtisë, digjitalizimit, investimeve, inovacionit dhe industrisë”, thuhet në deklaratë.

Në këtë samit, që u mbajt online, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Avdullah Hoti, e pos tij morën pjesë edhe liderët e shteteve të rajonit: Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Në samit morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Hoti: Mosnjohja nga Serbia dhe Bosnja, pengesë

Kryeministri Hoti tha se për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit rajonal, duhet larguar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve.

“Ajo që na pengon neve për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Unë pres që procesi i dialogut në Bruksel të përfundojë me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, tha Hoti, citon një komunikatë e lëshuar nga zyra e tij.

Hoti po ashtu theksoi nevojën e krijimit të një mekanizmi, i cili, sipas tij, do të siguronte një proces të koordinuar të vendimmarrjes të çdo vendi të rajonit, për çështje që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët rajonal.

Hoti tha se Zona Ekonomike Rajonale nuk është alternativë për integrimin evropian, porse ajo duhet të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme, për përshpejtimin e anëtarësimit në BE.

Pas samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për media me homologun bullgar, Bojko Borisov, dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, tha se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët e afron rajonin me BE-në.

“Kjo do të ndikojë në rritje ekonomike dhe zhvillim të rajonit. Rajoni e ka kuptuar rëndësinë e lidhjes biznesore, lëvizjes së rinisë, lidhjes digjitale, dialogut ndërmjet shoqërisë civile, se si të shkëmbejmë informacione, në mënyrë që të garojmë në tregjet globale”, tha Zaev.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që mori pjesë në konferencën për media në mënyrë virtuale, i përgëzoi liderët e Ballkanit Perëndimor për ndërmarrjen e këtyre zotimeve, pasi, sipas saj, procesi i Berlinit ka qëllim tejkalimin e tensioneve dhe trashëgimisë së të kaluarës.

“Është më rëndësi dakordimi për krijimin e një tregu të përbashkët, veçmas në këto kohë të vështira, duke marrë parasysh se shume vende janë nën presion. Ky është mesazh inkurajues edhe për ekonomitë tona dhe kjo do të japë rezultatet e veta”, vlerësoi Merkel.

Ajo shprehu kënaqësinë që përmes projekteve të realizuara deri më tash, mijëra të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur mundësi të shkëmbimit të përvojave dhe takimeve të drejtpërdrejta.

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, përmendi faktin se BE-ja tashmë ka premtuar investime prej 9 miliardë dollarësh dhe tha se tregu i përbashkët rajonal do të rrisë mirëqenien e qytetarëve.

“Kjo ka qenë ideja jonë, ëndrra jonë. Është një popullatë prej 20 milionë banorësh në Ballkanin Perëndimor, prandaj duam që ata njerëz të kenë të ardhura më të mëdha. Dhe, duam që këta njerëz të jetojnë në vendet e tyre”, tha Borisov.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG