Në një dokument të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se autoritetet kompetente shëndetësore kanë propozuar marrjen e masave të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirsuit. Për këto masa, aktualisht është duke u diskutuar në Qeverinë e Kosovës.
Komunat e Kosovës, sipas këtij, propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.
Këto masa që do të jenë për një periudhë njëjavore.
Zona e kuqe – rrezik i lartë
Në komunat me rrezik të lartë të infeksionit me mbi 150 persona të infektuar në 100.000 do të ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve përveç personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve.
Hyrja do t’ju lejohet edhe qytetarëve që kanë nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale të ushqimit dhe barnave për njerëz dhe kafshë.
Kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike do të lejohen po ashtu.
Gastronomisë do t’i ndalohet puna, përveç shërbimit “merr me vete”, “porosi me dërgesë” dhe “shërbimit për mysafirët e hotelit”.
Po ashtu do të ndalohet edhe veprimtaria e qendrave tregtare.
Ndërkaq, institucionet publike dhe private do të punojnë vetëm me stafin esencial.
Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer, ndërkaq nëse janë anëtarë të familjes do të lejohen tre pasagjerë.
Zona e verdhë – rrezik mesatar
Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi-dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 06:00 deri në ora 18:00.
Transporti publik në këto komuna lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve duke respektuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e sëmundjes COVID-19;
Zona e gjelbër – rrezik i ulët
Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 19:00. Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve. Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 19. Duke respektuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e sëmundjes COVID-19.
Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 19:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka zhvilluar të hënën një takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutoi për hapat që duhen ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Zemaj tha se lakorja e rasteve të fundit kërkon kujdes të shtuar dhe aktiv.
Të hënën janë testuar 1.712 mostra dhe prej tyre, pozitivë me koronavirus kanë dalë 637 persona.
“Nga java e kaluar, kemi filluar me masa më të rrepta për disa qytete të Kosovës dhe do të vazhdojmë çdo ditë me vendime operacionale për komuna të caktuara, në bazë të kategorizimit, si pasojë e numrit të të infektuarve”, shkroi Zemaj në Facebook.
Ahmeti: Është rekomanduar mbyllja një javore për Prishtinën
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në rrejtin social Facebook ka shkruar se niveli qendror ka vendosur Prishtinën në zonën e kuqe duke rekomanduar mbylljen një javore.
“Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marr parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marr parasysh. Po ashtu kemi kërkuar që të jemi më fleksibil edhe me biznese për shkak se në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga qeveria edhe një goditje pak më e gjatë do të jetë fatale për to, por rrjedhimisht edhe për shëndetin të cilin e kemi primar”, ka shkruar Ahemti.
Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.
Në fundjavë, po ashtu, qytetarëve të shtatë komunave të Kosovës - Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime - u janë ndaluar hyrjet dhe daljet, përveç në disa raste të domosdoshme.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 24.792 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre 768 pacientë kanë vdekur.
Facebook Forum