Udhëheqësit e Misioneve të BE-së në Kosovë dhe të shteteve anëtare, kanë thënë se mbështesin fuqishëm përmbushjen e misionit të Dhomave të Specializuara.
Përfaqësuesit evropianë në Kosovë thonë se prioriteti më vendimtar për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, është respektimi i sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“Për këtë arsye, ne e kemi mbështetur fuqimisht krijimin e Dhomave të Specializuara, si pjesë integrale e sistemit të Kosovës për sundimin e ligjit, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të përmbushet misioni i Dhomave, ndaj të cilave edhe Kosova është e përkushtuar. Kjo është esenciale për konsolidimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë, ku rikujtohet se “individët nën aktakuzë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre, dhe se duhet të respektohen të drejtat e tyre ligjore”.
Misionet e BE-së kanë vlerësuar bashkëpunimin e treguar në ditët e fundit nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish udhëheqësi i PDK-së Kadri Veseli, si dhe nga Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, me Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë.
“Kjo pasqyron përgjegjësinë dhe vendosmërinë e Kosovës për respektim të sundimit të ligjit dhe për kërkim llogarie nga individët që mund të kenë kryer veprime të paligjshme”, thuhet në komunikatë.
Bashkimi Evropian është sponsorizuesi më i madh i fondeve të Gjykatës Speciale.
Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara. Njëjtë veproi edhe kreu i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili pas konfirmimit të aktakuzës, tha se do të heqë dorë nga të gjitha funksionet.
Më 5 nëntor, përveç Thaçit dhe Veselit, në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës, u transferua edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Ndërkaq, në Hagë, më 4 nëntor në qendrën e paraburgimit të Dhomave Speciale, u dërgua edhe ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, nën akuza për krime lufte.
Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.