Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar që Qeveria të ndërpresë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë.
Në një komunikatë, pas mbledhjes së Kryesisë së AAK-së, u tha se duhet të thirret “mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë së Kosovës - për situatën e sigurisë së përgjithshme si dhe seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”.
Reagimi i kësaj partie vjen pasi të enjten Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Presidenti Thaçi dha dorëheqje nga posti duke thënë se nuk dëshiron të shkojë para Dhomave të Specializuara si president i Kosovës.
Në korrik të vitit 2019 vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi kishte marrë ftesë për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Haradinaj asnjëherë nuk ka qenë idhtar i dialogut Kosovë-Serbi që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në fund të vitit 2018 qeveria e drejtuar nga ai vendosi tarifë ndaj mallrave serbe, gjë që e bllokoi dialogun për më shumë se një vit.
Gjatë këtij viti, dialogu ka rifilluar, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.
Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje kur do të përfshihet njohje e ndërsjellë.