Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se vendi i tij po lufton "separatizmin islamik, kurrë Islamin".
"Franca po lufton kundër ... urrejtjes dhe vdekjes që kërcënon fëmijët e saj - kurrë kundër Islamit. Ne kundërshtojmë mashtrimin, fanatizmin, ekstremizmin e dhunshëm. Jo fenë", ka thënë Macron.
Macron i bëri komentet duke iu përgjigjur një artikulli të Financial Times, për të cilin ai pretendoi se e citoi gabimisht. Artikulli është hequr nga faqja e internetit e gazetës.
Në një letër për redaktorin e gazetës, e cila është botuar të mërkurën, Macron tha se gazeta britanike e kishte akuzuar atë për "stigmatizimin e myslimanëve francezë për qëllime elektorale dhe për nxitjen e një klime frike dhe dyshimi ndaj tyre".
"Unë nuk do të lejoj askënd të pretendojë se Franca, ose qeveria e saj, po nxit racizëm kundër myslimanëve", tha ai.
Në një artikull i shkruar nga një korrespondent i Financial Times, botuar të martën, pretendohej se deklarata e Macronit ndaj "separatizmit islamik" rrezikonte të nxisë një "mjedis armiqësor" për myslimanët francezë.
Artikulli më vonë u hoq nga faqja e internetit e gazetës, dhe u zëvendësua me një njoftim që thoshte se ai kishte "gabime faktike", raporton AFP.
Muajin e kaluar, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed.
Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen.
Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.
Prokurori kundër-terrorizmit, Jean-Francois Ricard dha këtë njoftim, një ditë pas incidentit, të cilin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti "sulm terrorist islamik".
Islami ndalon përshkrimet e Muhamedit.
Presidenti i Francës Macron është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga "vlerat" dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos "dorëzohen në frymën e përçarjes".
Javën e kaluar, një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi si "një sulm terrorist, islamik".
Pas protestave dhe bojkotit të mallrave franceze në të gjithë botën, Macron i tha rrjetit Al-Jazeera gjatë fundjavës se ai e kuptonte që karikaturat mund të ishin tronditëse për disa.