Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Qeverinë e Kosovës, thotë se armatosja e Serbisë nga Rusia paraqet “kërcënim të qartë për tërë rajonin”, duke bërë thirrje që këto veprime të Serbisë të dënohen.
Beogradi zyrtar njoftoi të hënën se 30 tanke të tipit Tanke T-72, do të arrijnë në Serbi, që janë si pjesë e marrëveshjes që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq arriti në Soçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Sipas MPJD-së, Serbisë dhe Rusisë i pengon prania e misionit të NATO-s në rajon, por edhe anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë organizatë.
“Prandaj, e gjithë kjo sjellje destruktive dhe e rrezikshme e Serbisë, duhet të dënohet dhe parandalohet, para se të jetë shumë vonë”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
MPJD thotë se Beogradi zyrtar vetëm deklarativisht thotë se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, pasi sipas kësaj ministrie, Serbia “në vazhdimësi është duke luajtur një rol krejtësisht të kundërt”, duke kujtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, si dhe kujton se ka pasur raportime se forcat e rregullta serbe janë përfshirë në konfliktin në Ukrainë dhe në konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Përderisa Serbia duket se është përcaktuar që të bëhet një hambar ushtarak rus, Kosova dhe vendet tjera të rajonit tonë janë përcaktuar për vlerat e vendeve të civilizuara dhe demokratike”, thotë MPJD.
Mediat raportuan se tanket e para nga donacioni rus kanë arritur në Serbi më 28 tetor.
Donacioni është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016.
Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.