Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Mustafa u deklarua i pafajshëm për katër pika të aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Para kësaj ai dha një deklaratë para gjykatës ku tha se shpreson që Dhomat e Specializuara do të prodhojnë drejtësi, por kërkoi që ky organ i drejtësisë të zgjerojë fushëveprimtarinë e saj dhe të hetojë e gjykojë edhe rastet e vrasjeve të fëmijëve në Kosovë, masakrat e kryera në Kosovës, të hetojë për të pagjeturit dhe krimet e tjera, që sipas Mustafës janë kryer nga “regjimi gjenocidial” i Sllobodan Millosheviqit.
Ai tha se beson se lufta e ish-Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë "e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme".
Mustafa tha se shpreson që Dhomat e Specializuara nuk do të ndikohen nga politika apo nga persona, që siç u shpreh ai, përmes kësaj gjykate duan të "qërojnë hesape".
"Jam i bindur që pajtimi i popujve nuk bëhet duke ua mprehur shpatat xhelatëve e viktimat duke i viktimizuar për së vdekuri", tha Mustafa, teksa shtoi se disa eksponentë të kohës së regjimit të Millosheviqit janë ende pjesë e vendimarrjes politike në Serbi.
Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.
Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.