Antibiotikë, paracetamol, vitamina të ndryshme, fraksiparina, albumina – këto janë disa nga medikamentet, të cilat i përdori Jehona Zhitia nga Prishtina gjatë mjekimit prej koronavirusit, i cili zgjati për rreth një muaj e gjysmë. Këto medikamente i kushtuan më shumë se 500 euro.
Jehona, e cila me profesion është gazetare, është trajtuar në shtëpi për një kohë, por kur sëmundja me COVID-19 u bë më agresive, ajo është shtrirë Klinikën Infektive në Prishtinë.
Shumicën e barnave thotë se i ka blerë vetë, por gjatë trajtimit në Klinikën Infektive, disa ilaçe janë siguruar brenda këtij institucioni.
"Gjatë gjithë kohës kam qenë me terapi intensive ditore. Rreth dy javë jam trajtur në shtëpi dhe në shumicën e rasteve, pra rreth 90 për qind, barnat i kam blerë vetë", thotë Jehona për Radion Evropa e Lirë.
Disa nga ilaçet, me të cilat trajtohen pacientët me COVID-19 në klinika të Qendrës Klinike Universitare, janë në listën esenciale, por që për shkak të numrit të madh të pacientëve aty, sidomos gjatë muajve korrik e gusht, vazhdimisht ka pasur edhe mungesë të këtyre barnave. Jehona thotë se vetëm proteinat albumina i kushtuan rreth 50 euro.
‘’Zakonisht, antibiotikët janë në listën esenciale, por disa lloje antibiotikësh kishte mungesë. Ky që e kam përdorur unë, e që i kam marrë nga 4 në ditë, një ka kushtuar 13.5 euro. Mjekët arsyetoheshin se fluksi i madh i pacientëve i ka shpenzuar dhe nuk kanë pasur mundësi të furnizoheshin. Albumine nganjëherë ka pasur, por më shpesh kanë munguar dhe pacientët i kanë blerë’’, tregon Jehona.
Me shpenzimet të mëdha gjatë mjekimit është ballafaquar edhe stafi shëndetësor gjatë mjekimit nga COVID-19.
Njëri prej tyre ishte edhe Basri Lenjani, doktor i Emergjencës, i cili ishte prekur me COVID-19, bashkë me dy anëtarë të tjerë të familjes.
Ai thotë se trajtimi iu ka kushtuar reth 2.220 euro, dhe se sëmundja kishte zgjatur rreth tri javë. Lenjani shton se asnjë ndihmë institucionale nuk e kanë marrë si familje.
“Familjet e varfra e kanë vështirë për ta siguruar terapinë, derisa nga ana e shtetit ka qenë e pamundur. Ne, si familje, e që jemi të prekur tre anëtarë, i gjithë trajtimi mjekësor na ka kushtuar mbi 2,220 euro. Megjithatë, e kemi menaxhuar mirë meqë të tre jemi mjekë. Terapia ka qenë e disponueshme në barnatore. Më së shtrenjti kanë qenë antibiotikët e vitaminat që është dashur t’i përdorim e që jemi trajtuar tre javë me nga dy herë në ditë me antibiotikë“, thotë Lenjani.
Megjithkëtë, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se asnjë ankesë nga ana e qytetarëve për kosto të lartë të shërimit nga COVID-19, nuk e kanë marrë, pos për mungesën e barnave esenciale në përgjithësi.
‘’Unë edhe vetë kam qenë i sëmurë me COVID-19, por kam qenë pa simptoma dhe kostoja ka qenë e ulët. Ndërkaq sa i përket pacientëve të tjerë, me simptoma, kostoja ka qenë e lartë, por, ankesa individuale asnjë pacient nuk ka bërë dhe nuk e di arsyen. Në fillim të pandemisë ka pasur ankesa për barna esenciale, por individualisht nuk kemi pasur ankesa, secili e ka pasur hallin si ta kalojë sëmundjen duke mos e marrë parasysh koston’’, thekson Kodra.
Ndryshe, Kosova ende është pa Ligj për sigurime shëndetësore. Kuvendi i Kosovës arriti ta miratojë një ligj të tillë në vitin 2014, mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim deri tash. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).
Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar të nisë që nga 1 korriku i vitit 2017. Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.
Ministri aktual i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka konfirmuar më 14 shtator nëpërmjet Facebook-ut se një Grup punues është duke e hartuar Ligjin për sigurimet shëndetësore.
Ndërkohë, shkalla e papunësisë në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë 2020 është 25.0%. Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 euro deri 500 euro në muaj.