Nga ndihma financiare prej 60 milionë eurosh të buxheti të shtetit të Kosovës, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, përfituan të gjitha bizneset në Kosovë, pa marrë parasysh a kanë pasur humbje financiare apo jo, të shkaktuara gjatë pandemisë COVID-19.
Zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihma financiare iu është ofruar të gjitha bizneseve, pasi që numri më i madh i tyre kanë pasur humbje dhe se vetëm një numër i vogël i bizneseve nuk i kanë ndier pasojat e pandemisë.
“Përmes kësaj ndihme rrisim kërkesën agregate, rrisim fuqinë financiare të ndërmarrjeve. Ndërmarrjet që kanë vështirësi në likuiditet, i shfrytëzojnë këto mjete për t’i kryer këto obligime, duke përfshirë edhe pagesën e pagave që iu bëjnë punëtorëve, ndërkaq ndërmarrjet tjera mund t’i shfrytëzojnë këto mjete për zgjerim të kapaciteteve të tyre apo punësime të reja”, thotë Krasniqi.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa biznese, të cilat i kanë marrë këto mjete por që nuk kanë pasur humbje, por të njëjtat nuk kanë dashur të flasin.
Masë e paplanifikuar e Qeverisë
Përfitimi i bizneseve që nuk patën humbje, por që në disa raste edhe përfituan më shumë, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Lekë Musa, po konsiderohet i paplanifikuar mirë nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo ishte një masë ku Qeveria e Kosovës ka dashur të ndërhyjë në një formë të shpejtë pasi që nuk ka mundur të bëjë një lloj planifikimi përkatës për të parë nevojat në sektorin që do të duhej të intervenohet”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë pandemisë, bizneset të cilat më së shumti u prekën në Kosovë, janë ato të cilat veprojnë në sektorin e gastronomisë, ndërkaq, ato të cilat nuk kishin humbje ishin barnatoret, kompanitë tregtare që ofrojnë shërbime online, marketet me pakicë, etj.
Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar bizneset këtë jave në bazë të numrit të punëtorëve të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019, ndërkaq për bizneset e reja janë marrë të dhënat e muajit korrik të vitit 2020.
Nga shuma prej 60 milionë eurosh kanë përfituar 36.679 biznese me 206,852 të punësuar. Bizneset kanë përfituar nga 290 euro për secilin punëtor të punësuar.
Deri më tani, janë ndarë 50 milionë euro për më shumë se 25 mijë biznese.
Të verifikohen përfituesit e ndihmës
Lekë Musa thotë që në të ardhmen, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një planifikim më të mirë për shpërndarjen e mjeteve.
“Pra, të ketë intervenime në sektor përkatës që do të kontribuojë në rritje të punësimit dhe kthimit të një trendi ekonomik ku ishte para pandemisë. Këta sektorë duhet të filtrohen në bazë të produktivitetit apo krijimit të vlerës së re, siç është sektori i bujqësisë, eksporti i shërbimeve e teknologjia informative”, vlerëson Musa.
Struktura e bizneseve tregon që kanë përfituar më së shumti ato biznese, të cilat punësojnë prej 1 deri në 50 punonjës. Në këtë kategori hyjnë 36, 301 mijë biznese përfituese.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndarja e këtij fondi është një hap i mirë që i përfshin të gjitha bizneset, pavarësisht a kanë pasur humbje apo jo gjatë pandemisë.
“Bizneset, të cilat kanë pasur humbje më shumë, në të ardhmen do të duhet t’i paraqesin edhe me shkrim në mënyrë që të kenë përparësi karshi bizneseve si barnatoret, furrat e bukës, marketet me pakicë e të tjera, të cilat nuk kanë pasur humbje gjatë kësaj kohe të pandemisë”, thotë Shahini.
Ndryshe, humbjet që kanë pasur bizneset gjatë pandemisë, sipas Odës së Afarizmit të Kosovës, janë të mëdha dhe nuk mund të kompensohen nga ndihma që qeveria ka dhënë gjatë kësaj kohe.
Për periudhën mars –gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, mbi një miliard euro ka pasur më pak qarkullim sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.