Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për Shqipërinë, SHBA-ja ka qenë dhe mbetet pikë referimi e palëvizshme. Ai këtë koment e bëri duke u përgjigjur në pyetjen se a do të dalë Tirana zyrtare nga nisma kineze 17+1, kërkesë të cilën e bëri presidenti amerikan, Donald Trump në letrën që i dërgoi Ramës më 1 tetor.
"Por - dhe këtu është një ‘por’ shumë e vogël, që ne dëgjojmë, respektojmë dhe vendosim në bazë bindjesh”, tha Rama.
“Sa i përket lëvizjeve konkrete, këto janë çështje tona. Si çështje e jona, ne i trajtojmë me shume kujdes dhe vendosim në momentin e duhur, gjithmonë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë, dhe asnjëherë duke harruar që ne jemi aleat strategjik të SHBA-së dhe të BE-së, dhe në politikën e jashtme, e përsëris, ne jemi të linjëzuar me BE-në”, shtoi Rama gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një letre dërguar Ramës, i bëri thirrje Shqipërisë që ta lërë formatin 17+1 të Kinës, ndërsa ka thënë se është i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve.
Formati kinez 17+1 është nisma e Qeverisë kineze për të promovuar marrëdhëniet e biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të ish-bllokut komunist të Evropës Qendrore dhe Lindore.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t'ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Evropë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit", thuhet në letrën e presidentit amerikan.
"Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë", shtoi Trump.
"Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve - një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni", thuhet në letër.
Në këtë nismë bëjnë pjesë edhe: Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika e Çekisë, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia.
Çka është nisma kineze 17+1?
Nisma kineze 17+1, e cila njihej si 16+1 deri në pranimin e Greqisë, u krijua më 2012 me iniciativën e Qeverisë kineze dhe ka për qëllim përmirësimin e raporteve të biznesit dhe investimeve brenda iniciativës kineze "Rruga e Mëndafshit". Kjo iniciativë, e cila vlerësohet deri në 1 trilion dollarë, ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt Perëndimit.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të BE-së kanë kritikuar projektin e Kinës dhe huat që ky vend jep për infrastrukturën rajonale, duke paralajmëruar se këto hua, kanë zhytur disa vende në zhvillim në borxhe, të cilat ata nuk mund t’i paguajnë.
Krijimi i Iniciativës së Tre Deteve
Iniciativa e Tre Deteve është një platformë politike në nivel presidencial, që filloi më 2015 dhe përfshin 12 vende që ndodhen ndërmjet Detit Adriatik, Detit Baltik dhe Detit të Zi përkatësisht Austria, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.
Qëllimi i kësaj iniciative është të zhvillojë një rajon që shtrihet përgjatë këtyre deteve përmes forcimit të lidhjeve me fokus në infrastrukturën, energjinë dhe lidhjen digjitale.
Në Varshavë më 2017, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mori pjesë në një samit të kësaj nisme.
Ndërkaq, fushat e bashkëpunimit që parasheh Nisma e Tre Deteve janë tregtia dhe investimet, financat, bujqësia, shkenca dhe teknologjia, shëndetësia, kultura, marrëdhëniet tjera midis kombeve.
Samitet në kuadër të këtij bashkëpunimi janë mbajtur çdo vit, më 2012 në Varshavë, 2013 në Bukuresht, 2014 në Beograd, 2015 në Kinë, 2016 në Riga, Letoni, 2017 në Budapest, 2018 në Sofje dhe 2019 në Dubrovnik.
Këtë vit, samiti duhej të mbahej në muajin mars në Pekin, por ai u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Shqipëria pjesë e nismës amerikane "Rrjeti i pastër"
Ndryshe, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që i është bashkuar iniciativës së administratës amerikane “Rrjeti i Pastër” që synon mbrojtjen e rrjeteve 5G nga furnizues dhe operatorë jo të besueshëm të telekomunikacionit.
SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze.