Ndërlidhjet

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse nis formimin e kabinetit në hije


Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, nisi të mërkurën krijimin e kabinetit në hije.

Tsikhanouskaya ka garuar për presidente të Bjellorusisë në zgjedhjet e 9 gushtit.

Por, mbështetësit e saj thonë se zgjedhjet janë manipuluar nga Alyaksandr Lukashenka, për t'i siguruar atij mandatin e gjashtë presidencial.

Qysh pas zgjedhjeve vazhdojnë edhe protestat në Bjellorusi, që bëjnë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkës.

Protestat janë shtypur brutalisht nga policia me rrahje dhe arrestime masive.

Ndihmësit e Tsikhanouskayas njoftuan të mërkurën në një kanal të opozitës në aplikacionin Telegram, se avokati për të drejtat e njeriut, Hary Pahanyayla - i cili ka mbrojtur shumë aktivistë dhe gazetarë në Bjellorusi - do të jetë përfaqësues i Tsikhanouskayas për çështje të të drejtave të njeriut, ndërsa eksperti i ekonomisë, Ales Alyakhnovich, është emëruar përfaqësues për reformat ekonomike.

Deklarata po ashtu citon Tsikhanouskayan të ketë thënë se "regjimi i Alyaksandr Lukashenkës nuk është thjesht i paligjshëm, por gjithashtu i paaftë për të kryer detyrat e tij".

"Ne nuk mund të qëndrojmë më pasivë dhe të shikojmë se si vendi po zhytet më tej në krizë”, tha Tsikhanouskaya, një ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Vilnius.

Tsikhanouskaya ka ikur atje shumë shpejt pas zgjedhjeve të 9 gushtit, pasi ka pasur raporte se regjimi planifikon arrestimin e saj.

Lukashenka - në pushtet qysh në vitin 1994 - mohon se i ka manipuluar zgjedhjet dhe është betuar fshehurazi më 23 shtator.

Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.

Udhëheqësit e opozitës, përfshirë Tsikhanouskayan, kanë formuar Këshillin Koordinues për të lehtësuar transferimin e pushtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG