Ndërlidhjet

Tensione të larta midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për Nagorno Karabakun


Nagorno Karabak
Nagorno Karabak

Një nga konfliktet më të vjetra në botë, që është një mosmarrëveshje territoriale midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, ka rishpërthyer me përplasjet më të rënda në vite.

Së paku 23 njerëz janë raportuar të vrarë të dielën, në luftimet midis dy-ish republikave sovjetike për rajonin e Nagorno Karabakut.

Rajoni është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet nga armenët etnikë.

Kur është shkëputur në fillim të viteve 1990, dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur në luftime.

Luftimet midis palëve janë duke vazhduar edhe sot.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se është i sigurt se do të rimarrë kontrollin mbi Nagorno Karabakun.

"Jemi në prag të një lufte të shkallës së plotë në Kaukazin Jugor", paralajmëroi kryeministri armen, Nikoll Pashinian, duke e akuzuar Azerbajxhanin për agresion të planifikuar.

Të dyja vendet shpallën gjendje lufte dhe mobilizuan ushtritë.

Konflikti në malet e Kaukazit ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se tri dekada, ndërsa ka pasur luftime periodike.

Analistët paralajmërojnë se intensifikimi i dhunës mund t’i shqetësojë tregjet, pasi Kaukazi Jugor është një korridor për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz natyror nga Deti Kaspik në tregjet botërore.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehu mbështetje për Azerbajxhanin, duke i bërë thirrje edhe botës që ta përkrahë këtë vend në "betejën kundër pushtimit dhe mizorisë" ndaj tij.

Azerbajxhanasit janë popull kryesisht turk, me të cilin Turqia ka lidhje të ngushta.

Rusia, e parë tradicionalisht si aleate e Armenisë, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime për të stabilizuar situatën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG