Ndërlidhjet

Prodhues të makinave padisin Qeverinë e SHBA-së për taksat ndaj Kinës


Pamje nga ajri e fabrikës Tesla
Pamje nga ajri e fabrikës Tesla

Prodhues të mëdhenj makinash janë duke paditur Qeverinë e Shteteve të Bashkuara për taksat e importit që ka vendosur mbi pjesët kineze.

Tesla është bërë firma e fundit e automjeteve që i kundërshton detyrimet doganore, të paraqitura nga administrata e presidentit Donald Trump, dhe kërkon rimbursime.

SHBA-ja dhe Kina kanë vendosur taksa kufitare mbi mallrat dhe shërbimet e njëra-tjetrës, në kuadër të një lufte tregtare.

Një numër padish raportohet të jenë paraqitur, ditëve të fundit, nga prodhuesit e makinave në Gjykatën e Tregtisë Ndërkombëtare, në Nju Jork.

Mercedes-Benz, në padinë e tij, e ka akuzuar Uashingtonin për "ndjekjen e një lufte të paparë dhe të pakufizuar tregtare, që ka ndikuar në mbi 500 miliardë dollarë importe nga Republika Popullore e Kinës".

Tesla ka thënë se tarifat janë "arbitrare” dhe “abuzim me lirinë e veprimit”.

Trump, prej kohësh, e ka akuzuar Kinën për praktika të padrejta tregtare dhe vjedhje të pronës intelektuale.

Në Kinë, ekziston një perceptim se Amerika po përpiqet ta frenojë rritjen e saj si një fuqi ekonomike globale.

Këtë muaj, Organizata Botërore e Tregtisë ka konstatuar se tarifat e vendosura nga SHBA-ja ndaj mallrave kineze, janë "në kundërshtim" me rregullat e tregtisë ndërkombëtare.

Lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë ka nisur në vitin 2018.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG