Kompania kineze e teknologjisë, Huawei tha se zinxhiri i saj global i furnizimit është nën presion nga Shtetet e Bashkuara dhe i bëri thirrje Uashingtonit të rishikojë kufizimet e tij tregtare.
Huawei, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit është nën trysni nga masat tregtare të SHBA-së që synojnë të pamundësojnë aktivitetin komercial të kompanisë.
"Shtetet e Bashkuara kanë modifikuar sanksionet e tyre për herë të tretë dhe kjo me të vërtetë ka sjellë sfida të mëdha në prodhimin dhe operacionet tona", u tha gazetarëve në Shangai, shefi i Huaweit, Guo Ping.
Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se Huawei është një mjet për spiunazhin e shtetit kinez, vendosën sanksione të reja duke ndaluar që kompanitë amerikane të furnizojnë ose servisojnë kompaninë.
Huawei ka mohuar vazhdimisht akuzat e SHBA-së.
"Shpresojmë që qeveria amerikane të rishikojë politikën e saj pasi ne jemi akoma të gatshëm të blejmë produkte nga kompanitë amerikane", tha Guo.
Shtetet e Bashkuara thanë muajin e kaluar se do të zgjeronin një program të quajtur "Rrjeti i Pastër" për të parandaluar aplikacione të ndryshme kineze dhe kompani të telekomunikacioneve të kenë qasje në informacione të ndjeshme mbi qytetarët dhe bizneset amerikane.