Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do ta shpallë të nominuaren e tij për zëvendësimin e gjykatëses së ndjerë të Gjykatës Supreme, Ruth Bader Ginsburg, më 26 shtator.
Ginsburg, 87 vjeçe, vdiq më 18 shtator.
Vdekja e saj u jep republikanëve shansin të zgjerojnë shumicën e tyre konservatore në gjykatë, në proporcion gjashtë me tre.
Trump tha përmes një postimi në Twitter se ai do ta bëjë publike të nominuaren për gjykatëse më 26 shtator.
Trump, qysh më herët, ka thënë se përzgjedhja e tij do të jetë grua.
Çdo kandidat i Trumpit duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë në Senat, ku republikanët e tij kanë shumicën me 53 senatorë, përballë demokratëve me 47.
Plani i Trumpit për ta mbushur shpejt vendin e Ginsburgut - ndoshta para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit - është cilësuar si “abuzim me pushtetin” nga kandidati demokrat për president, Joe Biden.
Demokratët shpresojnë se një pjesë e republikanëve të moderuar mund të kundërshtojnë të nominuaren nga Trump.
Do të duhen katër senatorë republikanë për të prishur planin e Trumpit, sepse nënpresidenti Mike Pence mund të votojë për të thyer barazimin.
Gjykatësit e Gjykatës Supreme i mbajnë postet përjetësisht dhe vendosin për disa nga çështjet më të ndjeshme politike, duke filluar nga aborti dhe imigrimi deri te ligjet për të drejtat civile dhe armët.