Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë do t’i bëjë këto dy vende, ashtu si edhe Ballkanin dhe botën, më të sigurta.
Një hap i tillë ka kërkuar guximin e jashtëzakonshëm të udhëheqësve, tha Trump, transmeton Departamenti amerikan i Shtetit në llogarinë e tij në Instagram.
Trump citohet të ketë thënë se “guximi i jashtëzakonshëm” i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë i nevojshëm për t’i nisur këto bisedime dhe “për të ardhur në Uashington, për t’i finalizuar detyrimet”.
"Duke e bërë këtë, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt", tha Trump.
Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.
Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.
Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.