Ndërlidhjet

BE: Një në tetë vdekje lidhen me ajrin e ndotur


Ilustrim
Ilustrim

Një në çdo tetë vdekje në Evropë mund të lidhet me ndotjen, thuhet në një raport të Agjencisë së Mjedisit të Bashkimit Evropian.

Faktorët e tillë si ajri i ndotur, cilësia e dobët e ujit dhe ekspozimi ndaj kimikateve kanë kontribuar në 13 për qind të vdekjeve, thuhet në raport.

Sipas tij, komunitetet më të varfra dhe njerëzit në nevojë janë më të goditurit nga ndotja.

"Nevojitet një veprim i fuqishëm për t’i mbrojtur më të rrezikuarit", tha agjencia.

"Ekziston një lidhje e qartë midis gjendjes së mjedisit dhe shëndetit të popullsisë sonë", tha komisionari për Mjedis i BE-së, Virginijus Sinkevicius.

"Të gjithë duhet ta kuptojnë se duke u kujdesur për planetin tonë, ne jo vetëm që i shpëtojmë eko-sistemet, por edhe jetët tona", shtoi ai.

Raporti nga agjencia me bazë në Kopenhagë u lëshua të martën.

Ai zbuloi se 630,000 vdekje të parakohshme në BE u janë atribuar faktorëve të mjedisit më 2012 - që është viti i fundit për të cilin ka të dhëna në dispozicion.

"Njerëzit janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta në çdo kohë, përfshirë ajrin dhe ujin e ndotur dhe kimikatet, të cilat kombinohen dhe në disa raste veprojnë bashkërisht, duke ndikuar në shëndet", thuhet në raport.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ndotja e ajrit shkakton vdekjen e miliona njerëzve në botë çdo vit dhe se është përgjegjëse për një të tretën e vdekjeve nga goditja në tru, kanceri i mushkërive dhe sëmundjet e zemrës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG