Ndërlidhjet

Maqedonia e V.: Jo të gjitha shkollat hapin dyert për nxënës më 1 tetor


Ilustrim.
Ilustrim.

Në Maqedoninë e Veriut dyert e shkollave për nxënësit do të hapen vetëm në ato shkolla ku ka kushte për zbatimin e protokolleve për mbrojtje nga koronavirusi i ri.

Në kuadër të masave të reja përfshihet mbajtja e detyrueshme e maskave, organizimi i mësimit me maksimum 20 nxënës në klasë, sigurimi i distancës fizike dhe dezinfektimi i vazhdueshëm e klasave.

Ministrja e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Milla Carovska, pas realizimit të takimeve intensive me drejtorët e shkollave, ka theksuar se po bëhen përpjekje për të eliminuar të gjitha problemet sa i përket fillimit të vitit shkollor në bazë planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për realizimin e vitit shkollor 2020/2021 në kuadër të zbatimit të protokolleve për prezencë fizike të nxënësve në shkolla si dhe algoritmit sesi duhet vepruar shkollat e caktuara në ato raste nëse paraqitet ndonjë nxënës me simptoma të sëmundjes, COVID-19.

Ministrja Carovska ka bërë të ditur se dikasteri që ajo përfaqëson po punon në shkurtimin e programit mësimor në bazë të ligjit ekzistues, ashtu që program mësimor të mos jetë nën 100 orë mësimore.

Carovska ka theksuar se pavarësisht se në cilën mënyrë zhvillohet mësimi, me prezencë fizike apo në distancë, vlerësimi i nxënësve do të bëhet me prezencë fizike nëpër klasa.

“Po përgatitet udhëzim i posaçëm për vlerësim që është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse mësimi online duhet të ofrojë kualitet maksimal. Vitin e kaluar vlerësimi nuk ishte i rregulluar, tani themi se vlerësimi duhet të realizohet me prezencë fizike dhe kjo duhet të organizohet në grupe, sigurisht nëse gjendja epidemiologjike në komunën përkatëse e lejon një gjë të tillë”, ka theksuar ministrja Carovska.

Drejtorët e shkollave, që kanë numrin më të madh të nxënësve, kanë theksuar se janë në gjendje të sigurojnë kushte vetëm për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë, ashtu siç ka marrë vendim Ministria e Arsimit, por jo për të gjitha klasat.

“Mësuesit tashmë janë trajnuar që të mbajnë mësimi online. Po bëjmë përpjekje për t’i furnizuar me pajisje teknologjike nxënësit që vijnë nga familje me status të rrezikuar social. Kemi hapësira dhe klasa plotësuese për të bërë ndarjen e nxënësve në përputhje me rekomandimet që janë definuar në protokollin për zhvillimin e mësimit në këto kushte që ka imponuar koronavirusi nga klasa e parë deri në të tretën”, thotë Pero Arsenovski, drejtor i shkollës fillore Laze Angellkovski në lagjen Aerodrom të Shkupit.

Përderisa Burbuqe Imeri, drejtoreshë e shkollës fillore, Ismail Qemali në komunën Çair të Shkupit thotë se shkolla që ajo drejton, me mbi 1,500 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, e ka shumë të vështirë të sigurojë kushte për mësim në shkollë për të gjithë nxënësit.

Ajo nënvizon se po shqyrtohen mundësitë dhe po bëhen përpjekje që mësimi, të paktën me prezencë fizike, të realizohet edhe për klasat e gjashta pasi nxënësit kanë nevojë që përmes prezencës fizike të njoftohen me mësuesit e lëndëve përkatëse dhe lëndët e reja mësimore të cilat atyre u shtohen nga klasa e gjashtë.

“Ne synojmë që edhe nxënësit e klasave të gjashta të ndjekin mësimin në shkollë, por nuk e dimë se si do ta menaxhojmë çështjen e hapësirave pasi kemi problem ngase shkolla jonë është e mbipopulluar. Mësueset e kasës së parë deri në tretën që kanë numër të madh të nxënësve do të duhet ta ndajnë klasën në dy grupe, kjo është problematike. Pasi në këtë rast një mësuese i dyfishohet orari i punës dhe obligimeve në shkollë”, thotë Burbuqe Ymeri, drejtoreshë e shkollës fillore, Ismail Qemali në Çair të Shkupit.

Më të lehtë duket se e kanë shkollat në viset rurale pasi në këto shkolla numri i nxënësve është më i vogël.

Matillda Bajkova nga shkolla fillore, Avram Pisevski, që gjendet në fshatin Bardovcë, dhe ka 250 nxënës, thotë se hapësirat e shkollës mundësojnë që të gjithë nxënësit duke respektuar rekomandimet të mund ta ndjekin mësimin me prezencë fizike, jo vetëm ata nga klasa e parë deri në të tretën por nga e para deri në të nëntën.

“Ditët e para të tetorit, nëse na e lejojnë kushtet klimatike, do të shfrytëzojmë hapësirat në oborrin e shkollës për të mësuar në natyrë nxënësit e shkollës sonë, por edhe brenda në objekt ka mjaftueshëm klasa dhe hapësirë për të mbajtur distancën prej 1 metër e gjysmë dhe nxënësit të ndjekin mësimin me prezencë fizike për çka janë deklaruar mbi 90 për qind e nxënësve se dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë në shkollë dhe jo mësimin ta ndjekin në distancë”, thotë Matillda Bajkova nga shkolla fillore e Adran Pisevski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG