Ndërlidhjet

Hoti paralajmëron masa për laboratoret që keqpërdorin situatën e pandemisë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar të dielën pas disa ankesave të qytetarëve, se në një laborator privat të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për një test [PCR] për COVID-19 kanë paguar 200 euro.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, kryeministri Hoti ka thënë se "situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut".

Ai ka thënë se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) është në krye të detyrës dhe do të zbatojë ligjin shpejt.

Në anën tjetër, pas këtij reagimi, kryetari i Autoritetet Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se institucioni që drejton po monitoron me kujdes procesin dhe posedon listën e çmimeve të secilit laborator të licensuar.

Sipas tij, nëse laboratori për të cilin ka pasur ankesa ka vendosur çmimin 200 euro për testin PCR dhe ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë shkelje.

Ministria e Shëndetësisë thotë se procesi i testimit në sektorin privat e ka ndjeshmërinë e vet. Ministria ka ftuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që t'i monitorojë nga afër çmimet e testimeve serologjike dhe molekulare në sektorin privat.

Sipas tyre, MSH si autoritet nuk e ka kompetencën dhe bazën ligjore që t'i përcaktojë çmimet e këtyre shërbimeve.

Sipas MSH-së, AKK deri tash "nuk ka arritur të identifikojë ndonjë sjellje të këtyre shërbimeve që mund të bien ndesh me Autoritetin e Konkurrencës dhe se nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga qytetaret për ndonjë parregullsi".

"Duke qenë që, në rrjetet sociale kryesisht, qytetarët kanë shprehur ankesa rreth çmimeve të shërbimeve të testimeve për Covid 19 në sektorin privat, Ministria e Shëndetësisë do të insistojë që AKK dhe ATK të vazhdojnë me monitorimin e situatës, përkatësisht çmimeve në laboratorët privatë, derisa Inspektorati Shëndetësor do të mbikëqyr zbatimin e legjislacionit shëndetësor në këto institucione", thuhet në një komunikatë per media nga kjo ministri.

Ministria thotë se ka informacione që ka dallime të çmimeve sa u përket shërbimeve të testimeve serologjike (prej 15-30 euro) varësisht prej institucionit ku kryhet dhe komunës, përderisa për momentin, teste molekulare (PCR) ofron njëri nga dy institucionet e licencuara.

"Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro", thuhet pos tjerash në komunikatën e ministrisë.

Më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë ka nisur lëshimin e licencave për institucionet private shëndetësore që ato të kryejnë teste për COVID-19. Më parë, këtë shërbim e kryente vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Marrë parasysh njoftimin e fundit, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 118 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Testi virologjik me metodën PCR tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Kurse, përmes testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë tejkaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton ky virus.

Qytetarët, të pakënaqur me testime në laboratorët privatë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG