Që nga përhapja e pandemisë COVID-19 në botë, gastronomia ishte ndër sektorët e parë që u detyrua të mbyllej për shkak të rrezikut të lartë të bartjes së virusit.
Pas gati tre muajsh izolimi, shumë shtete liruan masat e kufizimit ku përfshihej edhe hapja e kafeneve dhe restoranteve, me rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për higjienën dhe mbajtjen e distancës së nevojshme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, kryesisht përhapet nga pikëzat që lëshojmë kur flasim, kollitemi apo teshtimë ose në rast të kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.
Ekspozimi mund të ndodhë më së shumti në hapësirat e mbyllura dhe ku ka frekuentim më të madh të njerëzve, ku përfshihen edhe kafenetë e restorantet.
OBSH rekomandon që masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19 të zbatohen në të gjitha vendet njësoj. Masat e rekomanduara përfshijnë larjen e shpeshtë ose dezinfektimin e duarve me dezinfektues me përmbajtje të alkoolit, mbajtjen e higjienës, mbajtjen e distancës fizike ose vendosjen e maskave kur mbajtja e distancës nuk është e mundur.
Po ashtu, OBSH-ja rekomandon rritjen e ventilimit përmes ajrimit natyral ose ventilimit artificial, mundësisht pa riciklim të ajrit. Në rast të riciklimit të ajrit, filtrat duhet të pastrohen rregullisht.
Masa e parë e lehtësimit të kufizimeve në gastronomi ishte vetëm ofrimi i shërbimit “take away” (merre me vete), por ndërkohë, për t’i dhënë një shans mbijetesës së këtyre bizneseve, filloi hapja graduale.
Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, rekomandon mbajtjen e maskës në hapësira ku nuk mund te ketë distancë më shumë se dy metra si dhe gjatë takimeve me persona të tjerë në këto hapësira.
Për të gjitha kafenetë dhe restorantet rekomandohet që të shërbejnë kryesisht në terasa dhe ambiente të hapura.
Këto janë disa nga rekomandimet e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse:
* Pastrimi i duarve për të paktën 20 sekonda pas hyrjes dhe daljes nga restorantet.
*Para përdorimit të tualetit, të sigurohet se ka mjete higjienike për pastrim si dhe denzinfektues me alkool të paktën 60 për qind.
Rreziku i përhapjes së koronavirusit në restorante dhe kafene:
*Rrezik i ulët: Shërbimi take away (merre me vete)
* Rrezik i konsiderueshëm: Ngrënja në hapësirë të hapur të kufizuar me distancë 2 metra .*Rrezik më i madh: Ngrënja në hapësira të hapura dhe të mbyllura në të njëjtin vend.
*Rrezik i lartë: Ngrënja në hapësirë të hapur dhe të mbyllur në një vend dhe kapaciteti jo i zvogëluar i ulëseve si dhe mungesa e distancës.
Edhe Qeveria e Kosovës në Manualin për mbrojtje nga COVID-19 parasheh që kafenetë dhe restaurantet të ofrojnë shërbime vetëm në ambiente të hapura, me distancë prej dy metrash, si dhe obligohet që i gjithë stafi të mbajë maska, po ashtu dezinfektuesit e duarve të jenë të qasshme për të gjithë konsumatorët.
Këto janë disa nga udhëzimet që pronarët e lokaleve obligohen t’i përmbushin:
*- të bëjë dezinfektimin dhe ajrosjen e rregullt të lokaleve dhe hapësirave të punës, - të bëjë pajisjen e punëtorëve me mjete mbrojtëse personale, sipas udhëzimeve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKShP),
*- të merr masa për distancën shoqërore dhe shmangien e kontaktit, edhe për punonjësit edhe për klientët, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHP),
*- të bëjë shfrytëzimin e sa më shumë kanaleve elektronike për të ushtruar veprimtarinë, duke përfshirë shitjen e mallrave dhe shërbimeve, si dhe pagesat, dhe - të merr masat e tjera të nevojshme për të zbatuar vendimet e Institucioneve lidhur me emergjencën shëndetësore.
Nga data 6 korrik bizneset e gastronomisë në Kosovë ishin ndaluar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre nga ora 21:00 deri në orën 5:00, ndërsa disa javë më vonë atyre u është mundësuar të shtyjnë orarin e punës deri në orën 22:30.
OBSH dhe Qendra për Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse, rekomandojnë që personat të cilët dyshojnë se mund të jenë të prekur ose janë të prekur me virusin COVID-19, të mos frekuentojnë baret dhe restaurantet.