Ndërlidhjet

Haradinaj – Stublla: Patrullimi në Karaçevë, i paautorizuar


Një ushtar i KFOR-it në Kosovë. Fotografi ilustruese.
Një ushtar i KFOR-it në Kosovë. Fotografi ilustruese.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët mes KFOR-it dhe Serbisë. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka sqaruar se patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin.

“Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim. Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka shkruar Stublla në Facebook.

Ministrja Stublla-Haradinaj, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shton se mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që sipas saj shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri te qytetarët e asaj ane.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë̈ serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Ai ka shtuar se e mirëpret faktin se në të kaluarën janë̈ organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, "duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të rifillojnë edhe në këtë pjesë të Kosovës, iniciativë e cila u mirëprit edhe nga ana e gjeneralit Risi, i cili tha se janë të gatshëm ta asistojnë Policinë e Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla".

Sipas Veliut, palët janë pajtuar që të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 8 gusht pas raportimit në media se më 7 gusht, se në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës kanë hyrë forcat serbe, ky mision tha se së bashku me forcat serbe kanë zhvilluar "një patrullë të sinkronizuar përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc".

“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës kufitare administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG