Ndërlidhjet

Vjosa Osmani kritikon qeverinë për trajtimin e pandemisë së COVID-19


Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pandemia e COVID-19 ka shtruar nevojën për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës.

Ajo ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se ka ndarë mjetet për projekte jo të domosdoshme, duke neglizhuar nevojat që ka vendi për përballje me pandeminë.

"Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-COVID19 duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër, përderisa u jep prioritet investimeve jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesave për avokatët e Gjykatës Speciale", ka thënë Osmani në një postim në rrjetin social Facebook.

Më 9 korrik, Qeveria e Kosovës nuk e ka miratuar nismën ligjore të Kuvendit të Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit. Nisma ka qenë e kryeparlamentares Osmani.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj pati thënë se qeveria vlerëson se çështjet të cilat synon t’i adresojë kjo nismë legjislative do të përfshihen në kuadër të një projektligji për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë së COVID-19

Osmani ka një raport të ndërlikuar me partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila udhëheq me qeverinë.

Kryeparlamentarja Osmani në postimin e saj thekson se viktimat nga koronavirusi "janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë, i cili megjithëse është konsideruar prioritar në letër, në praktikë nuk po trajtohet si i tillë".

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 196 raste të reja të të infektuarve. Rezultatet janë në bazë të 475 testimeve.

Sipas IKSHPK, nga sëmundja kanë vdekur edhe 16 duke çuar numrin e të vdekurve në 300. Të shëruar janë konstatuar 134 pacientë.

Që nga muaji mars në Kosovë janë infektuar 9.688 persona, prej tyre 5.480 janë shëruar, ndërkaq raste aktive janë 3.908.

Më herët, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përmes një reagimi për media, ka kritikuar klasën politike në Kosovë për menaxhim të dobët të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Rritja e numrit të personave të vdekur dhe të të infektuarve, sipas ASHAK-ut, ka shndërruar Kosovën në një vend të izoluar që ka dështuar krejtësisht në menaxhimin e pandemisë.

Qeveria e Kosovës së fundi ka fuqizuar disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Në kuadër të masave obliguese është vendosja e maskës në publik, si dhe reduktimi i stafit nëpër institucionet private dhe publike. Një ndër masat në fuqi është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në qytetet me rastet më të shumta.

Nga koronavirusi i ri janë infektuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zëvëndëskryeministri, Driton Selmanaj si dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli kanë thënë se janë shëruar nga sëmundja COVID-19.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG