Ndërlidhjet

Macron viziton Bejrutin pas shpërthimit, bën thirrje për reforma


Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka arritur të enjten në Bejrut, pas shpërthimit të 4 gushtit që ka lënë të vdekur qindra persona dhe ka plagosur mijëra të tjerë.

Ai ka thënë se Libani “do të vazhdojë të zhytet” nëse nuk kryen reforma kundër korrupsionit.

Vizita e Macronit ka ardhur pasi Ministria e Shëndetësisë së Libanit ka njoftuar se numri i personave të vdekur si pasojë e shpërthimit ka arritur në 137, përderisa besohet që të paktën 5,000 persona janë plagosur.

Hetuesit kanë thënë më 6 gusht se janë duke kryer kërkime për shkakun e shpërthimit në portin e qytetit.

Franca ka synuar për kohë të gjatë të mbështesë ish-koloninë e saj derisa tani është në krye të mobilizimit kombëtar për Libanin.

Megjithatë, zyrtarët francezë janë të shqetësuar për nivelin e korrupsionit endemik në këtë vend, andaj kanë bërë thirrje për reforma rrënjësore në këtë shtet të Lindjes së Mesme.

Macron u ka thënë disa libanezëve të zemëruar në Bejrut se ndihma e Francës nuk do të përfundojë “në duart e korruptuara”.

Ai ka thënë se do të synojë arritjen e një marrëveshjeje të re me liderët politikë të Libanit.

“Do të bisedoj me forcat politike dhe do t’ju kërkoj një marrëveshje të re. Unë jam sot këtu për të propozuar një pakt të ri për ata”, ka thënë ai ndërkohë që turma e njerëzve ka bërë thirrje për një “regjim” të ri.

Zyrtarët kanë thënë se një sasi e madhe e nitratit të amonit ka nxitur incidentin, lëndë që përdoret për plehra dhe ka kapacitet shpërthyes.

Sipas tyre, kjo sasi është mbajtur në kushte jo të mira për kohë të gjatë.

Gjatë ditës së mërkurë, qeveria ka urdhëruar që zyrtarët e portit të vendosen në arrest shtëpiak.

Ministri i Brendshëm libanez, Mohammed Fahmi, ka thënë se në portin e këtij qyteti besohet se kanë qenë më shumë se 2,700 tonë të nitratit të amonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG