Ndërlidhjet

Hoti: Po krijohen kushtet për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se tashmë janë duke u krijuar kushtet për për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Ai ka përshëndetur procedimin që Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka bërë të mërkurën projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Kryeministri Hoti ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë projektligj.

“Me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese, si dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike. Jemi në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Bizneset të cilat kanë pësuar humbje nga pandemia e koronavirusit, duhet të presin miratimin e këtij projektligji, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të fillojë së zbatuari Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

Me anë të këtij projektligji ndryshohen dhe plotësohen ligjet siç janë: Ligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Ligji për fondet pensionale të Kosovës, Ligji për tatimin në të ardhurat personale, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, etj.

Në Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Më pas, mjetet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, përjashtuar kategorinë e pagave dhe shtesave.

Si dhe me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG