Ndërlidhjet

Leximi i librit, strehë gjatë pandemisë


Ilustrim
Ilustrim

Koha e pandemisë ka rritur interesimin e lexuesve të librit, por pandemia gjithashtu ka ndikuar në ndryshimin e mënyrës së shitjes së librave në kryeqytetin e Kosovës.

Në fillim të pandemisë, u mbyllën edhe libraritë, por disa librari në Prishtinë kanë nisur të shesin libra online, dhe kjo sipas menaxherëve të librarive i ka mbajtur më afër lexuesve të tyre dhe ka rritur interesimin për lexim.

Libraria Dukagjini në Prishtinë, gjatë kohës së pandemisë ka shitur libra nëpërmes rrjetit social Instagram dhe Facebook.

Iliriana Hasaj, menaxhere në Librarinë Dukagjini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se koha e pandemisë ka rritur blerjen e librave.

“I gjithë komunikimi me klientin është bërë online dhe jo në librari siç jemi mësuar ku është edhe më e thjeshtë sepse klientët hyjnë vet, shikojnë librat dhe në qoftë se kanë nevojë për ndihmën tonë ne ju ofrojmë. Kurse aty (online) ka qenë më e vështirë sepse e gjitha duhet të ishte në një formë digjitale. Mirëpo, po, mund ta cilësoj që kishte interesim më të madh,” thotë Hasanaj.

Interneti dhe çmimi sfidojnë leximin e librit

Hasanaj, gjithashtu thotë se zhanri për të cilin klientët e librarisë Dukagjini ishin më të interesuar që të lexonin ishin romanet.

Edhe Besian Zeneli, menaxher në librarinë Buzuku në Prishtinë, thotë se interesimi i klientëve për blerje të librave online ishte i kënaqshëm. Blerja e librave nëpërmes dërgesave online, sipas Zenelit, kishte sukses të madh pasi kjo librari kishte edhe oferta të ndryshme për lexuesit e saj.

“Ne përveç që e kemi si shërbim, ndjekësit tanë e kanë parë se kemi pasur edhe oferta jashtëzakonisht të mira, do të thotë me çmime shumë stimuluese, ku kemi bërë nga 2-3 përzgjedhje të librave. Pastaj për shuma të caktuara kemi ofruar edhe postën gratis. Mendoj që këto kanë bërë pastaj që njerëzit ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë mundësi dhe ka rezultuar me sukses,” thotë Zeneli.

Sipas Zenelit, zhanri i cili po lexohet më së shumti gjatë kësaj kohe është librat psikologjik si dhe romanet.

“Interesimi ka qenë bukur i gjerë, mirëpo fokusi më i madh ka qenë tek librat psikologjik, tek ofertat që ne këmi bërë në libra të ndryshëm, për shembull bie fjala se interesim jashtëzakonisht të madh ka pasur për librin “Inteligjenca emocionale”.

Po ashtu ishte edhe libri “Ikigai” një libër jashtëzakonisht interesant dhe i lezetshëm për ta lexuar, pastaj edhe botimi i cili tash vonë që erdhi “Letra e Milenës” nga Franz Kafka.

Pastaj edhe një libër tjetër që ishte bestseller (nga më të shiturit në botë) në gjuhë angleze edhe në gjuhët e tjera, i cili tash së voni erdhi edhe në gjuhën shqipe “Libri që do të dëshironit ta lexonin prindërit tuaj”, një libër jashtëzakonisht interesant dhe i cili sugjerohet për të gjithë prindërit,” shprehet Zeneli.

Libraritë janë rihapur në fazën e dytë të lehtësimit të masave më 1 qershor, por për të hyrë në to të gjithë klientët duhet të kenë maskë mbrojtëse të fytyrës.

Rozafa Llalloshi, e diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, thotë se kjo kohë e pandemisë ka ndikuar që asaj t’i rritet interesimi për lexim.

“Kam nis të lexojë definitivisht më shumë, e kam rikthyer shprehinë e të lexuarit. Edhe pse për një kohë të gjatë, ndonjëherë nuk kam pasur kohë për shkak të angazhimeve, tani veçse po kam më shumë kohë të lexoj,” thotë Llalloshi.

Blerja online megjithatë nuk është e njejtë sikur blerja në vet librari, thot ajo.

“Shiko, kur hyn në librari e ke më lehtë sepse konsultohesh me shitësin e librave dhe ai të tregon se çfarë do të blesh. Kështu online më është dashur të bëj hulumtim vet, të hyj në internet dhe të kërkoj cila. Por, prap, shokët dhe shoqet postonin librat që janë duke i lexuar nëpër rrjete sociale dhe në këtë mënyrë i kam pyetur dhe më kanë rekomanduar libra, kështu që edhe në këtë mënyre pak a shumë jam informuar,” shprehet ajo.

Ndryshe, psikologu Besnik Sherifi thotë se leximi, e sidomos gjatë kohës së pandemisë është shumë i mirë ngase thyen monotoninë dhe stimulon trurin që të ketë më shumë aktivitet.

“Padyshim, leximi i librave është mjaft angazhim për njerëzit, aktivitet, gjë e cila njerëzit i stimulon, i nxit. Leximi i librave në njëfarë mënyre e stimulon pjesën kognitive, e rrit pjesën e vetëbesimit dhe gjithashtu leximi i librave në njëfarë mënyre ka edhe shumë efekte të tjera pozitive për arsye se truri është aktiv nuk është monoton dhe e bën atë pjesën e angazhimit dhe aktivitetit,” shprehet psikologu Sherifi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG