Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, se lobimi për njohjen e Kosovës nuk është pezulluar, duke thënë se ai do të pres për të parë se cila do të jetë organizata e parë ndërkombëtare ku do të aplikojë Kosova për anëtarësim dhe a do ta njeh dikush pavarësinë e Kosovës.
"Në atë ditë, nëse mentorët e tyre nuk iu tërheqin vërejtjen, ne do të vazhdojmë fushatën tonë (kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës) dhe u premtoj atyre që do të jemi pesë herë më të suksesshëm", tha Vuçiq para gazetarëve gjatë një vizite në Sremska Mitrovicë.
Vuçiq tha se deklarata e Hotit tregoi se "nënshkrimi i shqiptarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (Zajednica) dhe fjala e dhënë (tek i dërguari amerikan për dialog Richard) Grenellit, nuk do të thotë asgjë".
Vuçiq gjithashtu tha që delegacioni serb ishte i gatshëm për bisedime mbi ekonominë dhe se delegacioni i Kosovës erdhi në ato bisedime, siç tha ai, me kërkesë për kompensim të luftës.
"Kjo është ekonomi për ta, sepse ata nuk kanë fabrika dhe investime. Ne për këtë nuk do të flasim fare. Dialogu duhet të vazhdojë, por nëse thirrja është ‘Ejani të firmosni pavarësinë e Kosovës’, as mos na thërrisni. Ne jemi gjithmonë për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje", tha Vuçiq.
Kryeministri Hoti, gjatë një raportimi në Kuvendin e Kosovës të premten mbi dialogun me Serbi duke folur për lobimin për Kosovën tha se "nuk ka pezullim të aktiviteteve tona".
“Nuk ka pezullim të aktiviteteve tona, jemi dakorduar me partnerët tanë që anëtarësimi jonë në organizatat ndërkombëtare të bëhet bashkë me ta, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo është e vërteta”, tha ai.
I dërguari i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, para takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për rifillimin e dialogut mes dy palëve, kishte thënë se Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është pajtuar të pezullojë përpjekjet për t'u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, për t'i dhënë shans vazhdimit të dialogut.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte anuluar pas publikimit të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit Special.
Megjithatë, Hoti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 16 korrik.
Gjatë raportimit para deputetëve, Hoti tha se në takimin e 16 korrikut në Bruksel ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.