Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi ftohet për intervistim nga Prokuroria në Hagë


Një fotografi në Prishtinë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Një fotografi në Prishtinë me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, pas publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se të hënën, më 13 korrik, do të udhëtojë për në Hagë me ftesë të Prokurorit Special.

Përmes një njoftimi në Facebook, Thaçi tha se është i ftuar për intervistim.

“Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi. Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e presidentit të postuar në rrjetin social Facebook.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ftesën.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë me 29 qershor se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

Në ditën kur Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, presidenti Hasihm Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialog, Richard Grenell.

Ky takim u anulua menjëherë pas publikimit të aktakuzave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG