Ndërlidhjet

Pentagoni: Talibanët kanë lidhje të ngushta me një bashkëpunëtor të Al-Kaidas


Disa talibanë duke dorëzuar armët e tyre.
Disa talibanë duke dorëzuar armët e tyre.

Bashkëpunëtori rajonal i Al-Kaidas në Afganistan ka “lidhje të ngushta” me talibanët dhe “interes” për të sulmuar trupat amerikane, është thënë në raportin e ri të Pentagonit.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në muajin shkurt në mes të talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, kryengritësit janë pajtuar për të ndaluar grupet terroriste sikurse Al-Kaida nga shfrytëzimi i Afganistanit si strehë të sigurt për organizim të sulmeve.

Mirëpo në raportin e publikuar më 1 korrik, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se militantët talibanë kanë vazhduar punën e tyre me "Al-Kaidën në Subkontinentin indian".

Ky rrjet “në mënyrë rutinore mbështet dhe punon me pjesëtarë të grupit të talibanëve, përgjatë përpjekjeve për të dëmtuar qeverinë afgane, si dhe ka interes për të sulmuar forcat amerikane dhe shënjestrat perëndimore në rajon”, ka thënë Departamenti i Mbrojtjes në një raport që ka hartuar për Kongresin amerikan.

Ky dokument vjen pas raportit të Kombeve të Bashkuara, të publikuar një muaj më parë, në të cilin është thënë se Al-Kaida dhe talibanët “janë të afërt, bazuar në miqësi, histori të njëjtë të problemeve, simpatisë mbi ideologji”.

Në raportin e OKB-së është thënë edhe se talibanët “janë konsultuar vazhdimisht” me Al-Kaidën përgjatë negociatave me Shtetet e Bashkuara, duke “i ofruar garanci se do të nderojnë lidhjet historike”.

Megjithatë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad ka hedhur poshtë të gjeturat, duke thënë se raporti ka analizuar kohën para arritjes së marrëveshjes mes SHBA-së dhe talibanëve.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja është pajtuar për zvogëlim të trupave të saj në Afganistan nga 12,000 në 8,600 deri në mesin e muajit korrik.

Nëse pjesa tjetër e marrëveshjes zbatohet, trupat amerikane dhe pjesa tjetër e trupave të huaja mund të largohen nga ky shtet në mesin e vitit të ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG