Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë për Radion Evropa e Lirë që më 21 qershor, do të bëjë grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
“Ky operacion është në përputhje me praktikat e kaluara dhe modalitetet e zbatuara më 2017”, ka thënë ky Mision për REL-in.
Aty po ashtu është bërë e ditur se kjo kërkesë është pranuar nga Beogradi dhe se marrëveshja është arritur me autoritetet e Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 21 qershor.
Më 2017, zgjedhjet presidenciale të Serbisë janë zhvilluar në të njëjtën mënyrë.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova janë dërguar në qytete të cilat janë dhjetëra kilometra larg. Këtë model, që ishte harmonizuar me OSBE-në, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka vlerësuar anti-kushtetues.
I njëjti është kritikuar nga opozita serbe sepse sipas saj kjo gjë bëri që “të njihet shtetësia e Kosovës“.
Zyrtarët serbë kanë thënë më herët se nga 8,386 vendvotime, ku do të zhvillohet votimi, 90 janë në Kosovë - aq sa kanë qenë vitet e kaluara.