Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi: Takimi në Shtëpinë e Bardhë, në favor të Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e 27 qershorit në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që të takohen delegacionet e Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim amerikan.

Gjatë një konference për media të martën, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se është e përkushtuar që të marrë pjesë në këtë proces të negocimit.

Ai po ashtu ka thënë se ky proces ka mbështetjen e plotë të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27, për takim në Shtëpinë e Bardhë, rrit shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. E para, pasi që ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të vetë presidentit Trump si dhe këmbëngulësinë por edhe vizionin e ambasadorit Grenell”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se përkushtimi amerikan është që nga procesi i dialogut të rezultojë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Uashingtoni e ka thënë qartë se ky proces, dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump, që ky proces është për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Thaçi nuk është i sigurt për takim me Lajçakun

I pyetur nga gazetarët nëse do të takohet me Mirosllav Lajçakun, të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se nuk është i sigurt nëse do ta bëjë një gjë të tillë.

Lajçak pritet që të martën të zhvillojë disa takime gjatë vizitës së tij në Kosovë, mirëpo, presidenti i Kosovës ka delaruar se me të do të takohej vetëm nëse ai ka diçka konkrete për thënë sa i takon liberalizimit të vizave.

Të hënën, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, përmes rrjetit social Twitter ka njoftuar se qeveritë e të dyja vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në SHBA.

Sipas Grenellit, takimi do të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t'i heqin pengesat për dialog.

Grenell ka thënë edhe se Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se Kosova është pajtuar për të pezulluar përpjekjet për t'u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG