Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike kanë prezantuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e mëtejme e koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, teksa ka prezantuar manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusin, tha se të gjitha rekomandimet e këtij manuali duhet të respektohen.
“Ky manual i përkohshëm mund të ndihmojë parandalimin e ekspozimit me COVID-19, dhe përmban udhëzime në vende të punës, në mjedise jo-mjekësore, në qendrat tregtare dhe gastronomi, për pasagjerët dhe personelin e Aviacionit Civil, për udhëtimet zyrtare, për grupet tjera të ndjeshme, udhëzimet për vendvotime, si dhe shumë udhëzime të tjera të dobishme për qytetarët, për veprimtaritë e liruara si dhe për veprimtaritë që pretendojmë të lirohen në të ardhmen", tha Zemaj.
"Manuali ka rekomandime të cilat janë zbatuar në fazat e mëhershme të menaxhimit të pandemisë. Të gjitha institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual, varësisht nga specifikat e tyre. Nga kjo konferencë kemi një mesazh të qartë: përdoreni dhe zbatoni manualin, përdorni maskat, mbani distancën dhe mirëmbani higjienën. Këto janë armë të thjeshta, por shpëtojnë jetë dhe na lehtësojnë të kthehemi në normalitet", porositi ministri Zemaj.
Kurse drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka thënë se që prej se janë lehtësuar masat kundër koronavirusit, qytetarët nuk i kanë respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
“Qytetarët nuk e kanë dhënë provimin, nuk i janë përmbajtur rekomandimeve. Do të kemi rritje të numrit të infektimeve. Nuk do të lejojmë që të vdesin njerëzit për shkak të moskujdesit të tjerëve”, tha Ramadani.
Zemaj dhe Ramadani porositën rastet me COVID-19 do të vazhdojë të rriten në ditët në vazhdim, nëse nuk respektohen masat kundër koronavirusit.
Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, deri më tani janë regjistruar 1,486 raste. Prej tyre janë shëruar 953 persona, ndërkaq 33 pacientë kanë vdekur.