Ndërlidhjet

Kosova pranon 12 mijë kite për koronavirus


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka bërë të ditur të enjten se është njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik se nuk ka teste të mjaftueshme për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Në një fjalim në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministri Zemaj ka thënë se mungesa e testeve është shqetësuese.

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, informacioni i saktë është se mungojnë testet në masë të madhe dhe kjo ka qenë shqetësuese për mua. Sot përmes diasporës shqiptare do të sigurohen 12 mijë teste dhe do të dorëzohen dhe do të vazhdojmë me mbikqyrjen e shpërndarjes së tyre”, ka deklaruar ministri Zemaj.

Përfaqësues të diasporës kanë njoftuar se po këtë ditë kanë dërguar në Kosovë 15,000 kite, për konfirmim të këtij virusi.

Prej tyre, 12,000 i janë dorëzuar Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, 2,000 teste do të dërgohen në Maqedoninë e Veriut dhe 1,000 në Luginën e Preshevës.

Kitet janë materiale që mundësojnë procedurën e testimit për koronavirus, pa të cilat nuk mund të kryhet ky proces.

“Ne po vijmë sot nga Gjermania. Unë bashkë me dy kolegët, Nazmi Viça, kryetar i Unionit të Bizneseve në Gjermani dhe Remzi Ejupi, pronar i kompanisë Eurokoha, kemi marrë këtë iniciativë duke e parë të nevojshme që të sigurohen më shumë teste për koronavirus. Kjo iniciativë ka nisur një muaj më parë me ish-ministrin, Arben Vitia ndërsa sot po e finalizojmë”, ka thënë Lasim Destani, përfaqësues i diasporës.

Që nga data 8 shkurt e këtij viti, e deri më 10 qershor, në laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës janë testuar 17,479 mostra të dyshimta me virusin

Prej tyre janë konfirmuar gjithsej 1,298 raste me koronavirus.

Ndërkohë 913 persona janë shëruar derisa 31 pacientë tjerë kanë vdekur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG