Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të enjten se ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta takojë zotin Lajçak, presidenti Thaçi ka thënë se për Kosovën është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë, që merren çështjen e dialogut, të trajtojnë Kosovën si një vend të pavarur dhe sovran.
Sipas Thaçit, çdo qasje tjetër ndaj Kosovës është e dështuar.
“Nuk ka kohë tani për matje të pulseve apo për trajtime seminarike të çështjes së Kosovës për njohje reciproke Kosovë – Serbi, por është (v.j. koha) për vendimmarrje historike që sjell rezultate konkrete”, ka deklaruar Thaçi.
Burime të Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar të mërkurën se Lajçak, pritet që në fillim të javës së ardhshme të vizitojë Prishtinën.
Lidhur me debatin e krijuar së fundmi se kush do të udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi, presidenti i Kosovës apo kryeministri, Thaçi ka theksuar se atë do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës.
“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, do të plotësojmë njëri-tjetrin. Ne edhe të bashkuar do të përballemi me vështirësi dhe pengesa të mjaftueshme. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, dhe gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, kompetencat janë të qarta. Në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar mes tjerash ai.
Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dialogu me Serbinë, do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit.
“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.
Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.