Ndërlidhjet

Ndalet tregtia Kosovë - Serbi


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Pesëmbëdhjetë kamionë me mallra nga Serbia nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës, për shkak të zbatimit të vendimit të fundit të qeverisë në detyrë të Republikës se Kosovës për ashpërsimin e masave për reciprocitet me këtë shtet.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që asnjë maune nga Serbia të mos hyjë në Kosovë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të dielën ka shkruar në Facebook se “edhe emri “Kosovë” është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit “Republika e Serbisë”. Ne i kundërvihemi me masë reciproke”, ka shkruar Kurti.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, për Radion Evropa e Lirë, tha se deri tani u kthyen 11 maune, të gjitha kthimet “kanë të bëjnë me aplikimin e masave te reciprocitetit sipas pikës 1 respektivisht 1.1 dhe 1.3 dhe gjithashtu edhe pikës 3 te vendimit te qeverisë”, thotë ai.

Pika tre, nënkupton që operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyjnë në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Në Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ndërkaq thonë se rreth 20 kompani serbe deri më tani kanë kërkuar leje nga kjo zyre për eksportin e mallrave në Kosovë sipas rregullave të reja tregtare të miratuara të shtunën më 30 maj.

Jetish Jashari nga kjo zyrë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “është një proces që zgjatë, dhe ne jemi duke marrë kërkesa; kështu që nuk kemi numra të fundit se sa kompani kanë kërkuar leje që mallrat e tyre të hyjnë në Kosovë”.

"Por, mund të konfirmoj me siguri se ka më shumë se dhjetë ose njëzet kompani që kanë dërguar kërkesa në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi. Ne u kemi përcjellur kërkesat institucioneve tona kompetente, të cilët do të vendosin për secilën kërkesë individualisht, sepse ato duhet të plotësojnë kushte të caktuara, në mënyrë që mallrat të hyjnë në Kosovë. Sapo të sigurojnë lejen, ata do të jenë në gjendje të transportojnë mallrat,” ka thënë Jashari.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 28 maj, ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.”

Ndalet edhe eksporti i Kosovës për në Serbi

Sipas vendimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare.

Zëdhënësi i kësaj Agjencie Lamir Thaçi, për Radion Evropa e Lirë, tha se të gjitha vendimet qe nxirren nga autoritetet shtetërore “ne jemi vetëm zbatues të tyre, duke përfshirë edhe vendimin e fundit të nxjerrë nga qeveria e Kosovës”.

“Të gjitha kriteret e vendosura sipas pikave të vendimit të qeverisë jemi duke i zbatuar gjatë kontrollit të brendshëm dhe atij kufitar”, tha Thaçi.
Kurse, gjatë ditës së hënë, Thaçi tha se nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga kompanitë e Kosovës për të eksportuar produkte në Serbi.

Një nga kompanitë e Kosovës që eksporton mallra në Serbi është “Inter-Company” nga Podujeva. Kjo kompani mbjell luledielli dhe prodhimin e kësaj bime e përdor për prodhimin e vajit dhe një pjesë të lëndës se parë e eksporton në Serbi.

Pronari i kësaj kompanie, Sulejman Konushevci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas vendimit të ri për reciprocitet nuk ka tentuar të eksportojë, pasi thotë, se Serbia nuk njeh që në certifikata fito-sanitare ku shkruhet Republika e Kosovës, por vetëm Kosova.

“Nuk kam tentuar të eksportojë sepse qeveria na ka kushtëzuar që në certifikata duhet të shkruhet Republika e Kosovës, ata ( autoritetet serbe) nuk e pranojnë. Kështu që nuk kemi tentuar sepse vetëm duhet të bëhen shpenzime që mauna të shkojnë në kufi dhe të mbesin aty”, tha Konushevci.

Më 1 prill, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të vendosur në vitin 2018 nga Qeveria Haradinaj, derisa masën ndaj mallrave serbe e ka zëvendësuar me reciprocitet.

Lajiq: Masat a reja nënkuptojnë ndërprerjen e tregtisë mes Kosovës dhe Serbisë

Vendimi i ri ka të bëjë me moslejimin e hyrjes së mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës. Ky vendim ka nxitur reagime në Serbi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq, tha se që nga ndërmarrja e masave të reja tregtare nga Qeveria në detyrë e Kosovës, kamionët nga Serbia po kthehen prapa në vendkalimet në Kosovë, sepse “asnjëri nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga Dogana e Kosovës”.

“Me të ashtuquajturat masa reciproke, dërgimi i mallrave nga Serbia në Kosovë është zyrtarisht i kufizuar dhe i ndaluar, sepse kushtet janë të tilla që asnjë kompani nga Serbia nuk mund t’i përmbushë ato”, tha Lajiq, duke shtuar se masat e reja “nënkuptojnë ndërprerjen e të gjithë tregtisë në mes të Beogradit dhe Prishtinës".

Ai tha se masat e reja u referohen deklaratave dhe certifikatave fitosanitare dhe veterinare, të cilat duhet të përmbajnë shenjën se mallrat po shkojnë në Republikën e Kosovës.

Serbia që nga vendosja e taksës ka ndërprerë dialogun me Kosovën që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Slavica Zhivkoviq, një biznesmene nga Serbia dhe drejtuese e Shoqatës së fabrikave për prodhimin e materialeve të ndërtimit, tha se “nuk ka transport të materialeve të ndërtimit në këtë moment”.

“Për humbjet nuk dua as të flas. Është një problem i tmerrshëm, ne sapo kemi filluar të rimarrim veten nga taksa 100 për qind dhe arritëm të krijojmë marrëdhënie me klientët nga Kosova si dhe na kanë pritur shumë mirë. Por, kjo që ndodhi të shtunën prishi gjithçka dhe përsëri krijoi një pengesë të re, për të cilën duhet të luftojmë në periudhën tjetër. Fabrikat nga jugu i Serbisë u prekën më së shumti sepse ato ishin pjesë direkte e asaj pjesë të tregut”, tha Zhivkoviq.​
BE kundër masave të reja

Përveç Serbisë, më vendimin e fundit të qeverisë ka reaguar edhe Brukseli. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka shprehur zhgënjimin për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat i ka miratuar qeveria në detyrë e Kosovës.

Këtë masë e ka kundërshtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, duke thënë se “veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës "nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth", ka thënë Hoti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG