Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka shprehur zhgënjimin për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat qeveria në detyrë e Kosovës i miratoi gjatë një mbledhjeje të shtunën në mbrëmje.
"I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara", ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.
Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkimit Evropian shprehen me tone kritike për masat e reciprocitetit të qeverisë në detyrë të Kosovës ndaj Serbisë. Pas heqjes së tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masave të para të reciprocitetit, zyrtarët e BE-së kryesisht nuk e kanë komentuar këtë çështje, por vetëm kanë përshëndetur heqjen e tarifës.
Më 7 prill, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
"Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19", ka thënë Borrell.
Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara, pëmes ambasadës së tyre në Prishtinë, kanë thënë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Çfarë vendimi mori qeveria në detyrë e Kosovës?
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se "së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit 'Republika e Serbisë".
"Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin 'Republika e Kosovës' në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës", ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Pas reagimit të Lajçakut, kryeministri Kurti ka thënë përmes një postimi në Twitter se"refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës".
Pas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë në detyrë të Kosovës, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë derisa të gjitha këto vendimet nuk tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.