Ndërlidhjet

Banka Botërore i bën thirrje Kuvendit të ratifikojë marrëveshjen 50 milionë dollarëshe


Selia e Bankës Botërore.
Selia e Bankës Botërore.

Banka Botërore i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të ratifikojë marrëveshjen për ndarjen e 50 milionë dollarëve, të cilat janë ndarë për luftimin e pandemisë.

Përmes një komunikate, Banka Botërore ka njoftuar se sapo ka finalizuar negociatat me Qeverinë e Kosovës për një Projekt të Emergjencës COVID-19 për Kosovën në shumën prej 50 milion dollarësh amerikanë.

"Gjatë muajit të fundit, Banka Botërore ka punuar intensivisht me Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për t’u dakorduar për projektin e emergjencës, i cili do t’i ndihmojë Kosovës në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, si dhe do të forcojë sistemin e shëndetësisë publike të vendit", thuhet në komunikatë.

Projekti, sipas Bankës Botërore, përfshin prokurimin urgjent të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore për sektorin e shëndetësisë, forcimin kapaciteteve të testimit dhe zbulimit të hershëm të COVID-19, përmirësime dhe zgjerim të kapacitetit të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, dhe mobilizim të personelit shtesë shëndetësor.

"Ai përfshin edhe mbështetje të përkohshme për përfituesit e Skemës së Ndihmës Sociale dhe amvisëritë që kualifikohen për mbështetje në bazë të Planit Fiskal Emergjent. Në mënyrë që të fillojë zbatimi i projektit, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore me një shumicë prej 2/3 të të gjithë deputetëve. Ne presim mbështetjen e fortë të të gjithë deputetëve në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur", thuhet në komunikatë.

Projekti është pjesë e një programi të Bankës Botërore që pritet të kalojë shifrën prej 120 milionë dollarësh dhe që ka për qëllim të mbështes Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG