Ndërlidhjet

Lajçak, kundër idesë së shkëmbimit të territoreve


Mirosllav Lajçak
Mirosllav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se është kundër idesë për shkëmbim territoresh midis këtyre dy vendeve.

Në një postim në Twitter, Lajçak tha se dialogu që udhëheq BE-ja, ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën", tha Lajçak.

Së voni, lidhur me këtë është deklaruar edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, duke vlerësuar se mundësia e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës është një çështje më pak e rëndësishme.

"Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është problem. Mendoj se është një çështje dytësore", ka thënë Varhelyi para Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, më 7 maj.

Sipas tij, pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë gjithmonë i qartë, që do të thotë se gjëja më e rëndësishme është që dy vendet të bien dakord për një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët dhe që nuk përbën rrezik për vendet e tjera të rajonit.

Çështja e korrigjimit të mundshëm të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, me sa dihet, nuk ka qenë asnjëherë në tryezën e bisedimeve që ndërmjetëson BE-ja.

Kjo ide është shpërfaqur nga vetë presidentët e dy vendeve si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve, por ka hasur në reagime për dhe kundër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG