Në përpjekje për të lehtësuar disa masa të izolimit nga koronavirusi, Danimarka nis sot rihapjen e çerdheve dhe të shkollave fillore.
Me rregullat e reja, fëmijët do të mbahen më larg njëri-tjetrit se zakonisht, do të ketë regjime të rrepta pastrimi dhe, aty ku është e mundur, mësimet do të mbahen jashtë.
Kufizimet e tjera, si ndalimi i tubimeve në masë, mbeten, por autoritetet qeveritare thanë se numri i njerëzve të shtrirë në spital, si pasojë e koronavirusit, është në rënie dhe se kufizimet e tjera mund të hiqen së shpejti.
Danimrka ka mbi 6,700 të infektuar me koronavirus dhe rreth 300 viktima.
Këtë javë, masat e izolimit kanë nisur t’i lehtësojnë edhe disa shtete të tjera evropiane, përfshirë: Italinë, Austrinë dhe Spanjën.
Megjithatë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka zgjatur izolimin atje deri më 11 maj.
Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
- Transmetimi duhet të kontrollohet;
- Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
- Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
- Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
- Rastet e importuara menaxhohen;
- Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".